Shprehen të penduar para gjykatës, 2 nga 5 të akuzuarve për narkotikë i’u ndërpritet paraburgimi

Gazmend Aliu dhe Fatlum Abdullahu sot para trupit gjykues pranuan fajësinë se kanë pranuar nga njëri-tjetri marihuanë, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale me prokurore të çështjes Habibe Salihu.

Ata shprehën ‘pendesën e thellë’ për pikat e akuzës që i rëndonin mbi ta, duke premtuar se nuk do ta përsërisin veprën penale.

Mbrojtësit e të pandehurëve avokatët Ramiz Krasniqi dhe Ymer Huruglica kërkuan nga trupi gjykues të përbërë nga Lutfi Shala kryetar dhe Valon Kurtaj e Kujtim Krasniqi që për klientët e tyre të marrin parasysh edhe rrethanat personale të tyre.

Avokati Huruglica i cili e mbron Fatlum Abdullahun tha se asnjëherë klienti i tij nuk kishte rënë ndesh me ligjin, dhe që nga arrestimi i tij ka bashkëpunuar me organet e ndjekjes.

Pranimi i fajësisë për të akuzuarit e lartëpërmendur është bërë me aktvendim në seacën e mbajtur më datë 20 qershor 2023, ku edhe është ndërpritur masa e paraburgimit për të njëjtit.

Kurse, sot seanca u veçua për dy të pandehurit meqë të njëjtin e pranuan fajësinë dhe kishin arritur marrëveshje me Prokurorinë Speciale për pjesën e pranimit të fajësisë, por jo edhe për lartësinë e dënimit.

Shpallja e aktgjykimit për Fatlum Abdullahun dhe Gazmend Aliun pritet të mbahet më datë 23 qershor të këtij viti me fillim nga ora 09:00.

Siaps dosjes së prokurorisë, të akuzuarit Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa, Gazmend Aliu, Gjulin Rudoja, dhe Fatlum Abdullahu ngarkohen me veprën penale të blerjes, shitjes, posedimit të narkotikëve sipas nenit 267 të Kodit tonë Penal.

I akuzuari Mexhaid Qerimi përveç narkotikëve, dyshohet edhe për sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas prokurorisë, i pandehuri duke tentuar të arratisej kishte sulmuar policin, të dëmtuarin Arben Elshani i cili kishte japë shenjë të ndalte atomjetin që po lëviztë i pandehuri Qerimi.

I pandehuri Fehmi Mustafa dhe Mexhaid Qerimi akuzohen nga prokuroria se kanë shpërndarë dhe transportuar narkotikë. Të njëjtit dyshohen se kanë pasur marrëveshje që narkotikët t’i transportojnë në Serbi përmes autobusëve “Deda Reisen”, të cilët janë në pronësi të pandehurit Fehmi Mustafa.

Kurse, i pandehuri Gjulin Rudoja akzuohet nga prokuroria se gjatë vitit 2022 në vazhdimësi ka shpërndarë dhe shitur narkotikë të pandehurit Gazmend Aliut.

Fajësinë nuk e kanë pranuar 3 të pandehurit Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa dhe Gjulin Rudoja, ku shqyrtimi gjyqësor për ta pritet të mbahet më 20 korrik nga ora 13:10.

Në këtë seancë pritet të dëshmojë Arben Elshani, në cilësinë e dëshmitarit të dëmtuar.