Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Anulohen seancat e gjykimit ndaj ish policëve të akuzuar për korrupsion

Seancat e gjykimit ndaj ish zyrtarëve policorë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare të cilat ishin caktuar të mbahen në Gjykatën e Mitrovicës janë anuluar.

Mungesa e njërit prej të akuzuarve dhe kushtet jo të përshtatshme për shkak të pandemisë kanë bërë që të shtyhej seanca e djeshme, po ashtu të anulohen edhe dy seanca e caktuara për sot dhe nesër.

Mbrojtësi i të akuzuarit Artan Bimbashi, avokati Arbër Shala kishte deklaruar duke thënë se i mbrojturi i tij gjendej jashtë vendit në Gjermani, por ka premtuar se do të jetë prezent në seancën e ardhshme.

Po ashtu kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti ka thënë nëse vazhdon të jetë gjendja e njëjtë me COVID-19 do të bëjmë përpjekje që seanca të mbahet në Qendrën e Kulturës së Mitrovicës por paraprakisht do të sigurohet një mendim nga institucionet kompetente shëndetësore.

“Për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve nuk kanë mundur të plotësohen kushtet për mbajtjen e distancës dhe masave tjera siç kërkohet me manualin për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Seanca e djeshme është shtyrë me kërkesën e shumicës së palëve mbrojtësve dhe të akuzuarve me përjashtim të dy avokatëve që kanë kundërshtuar shtyrjen e seancës”, ka thënë gjyqtari Mehmeti.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen me 2, 3 dhe 4 shkurt 2021.

14 ish-zyrtarët policorë: Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zekir Shala tani të akuzuar, përveç të pandehurit Destan Rrecaj ndaj të cilit është hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të 2016 nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Prokuroria e Mitrovicës në maj të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë sipas të cilës akuzoheshin 37 persona, në mesin e tyre 35 policë për marrje ryshfeti dhe dy qytetarë për dhënie ryshfeti, raporton KALLXO.com.

Në këtë rast, në mesin e të akuzuarve për veprën penale dhënia e ryshfetit kanë qenë edhe dy qytetarë, Slavolub Dimiq dhe Goran Gjuriq, të cilët e kanë pranuar fajësinë.

Ndërsa me propozimin e Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës u kishte shqiptuar urdhër ndëshkimor në qershor 2016 dhe të njëjtit i ka dënuar me gjobë prej 500 eurosh secilin.

Ndërsa procedura kishte vazhduar me 35 të akuzuarit e mbetur, dhe në gusht të vitit 2017 Gjykata në Mitrovicë me aktvendim kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Të gjithë të akuzuarve u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Kurse ndaj të pandehurit Destan Rrecaj ishte hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se përfituan për vete ndërsa e dëmtuan buxhetin e shtetit.

Skandali i korrupsionit në polici dëshmitari rrëfen rrjedhjen e informacioneve