Gjykata liron për herë të dytë të akuzuarin për vrasjen në pompën e benzinës në Pejë
Gjykata liron për herë të dytë të akuzuarin për vrasjen në pompën e benzinës në Pejë.
Nimon Berisha u lirua për herë të dytë nga akuza për vrasjen e Isa Karaxhyzit në pompën e benzinës në Pejë.
Gjykata e Mitrovicës Berishën e liroi nga të dy akuzat për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati Ramiz Krasniqi mbrojtës i të akuzuarit Nimon Berisha.
Gjykata e Mitrovicës e kishte liruar Nimon Berishën edhe në shkurt të vitit 2019.
Ndryshe Nimon Berisha nga Prokuroria Themelore e Pejës akuzohet se më 31 dhjetor 2014 rreth orës 06:35, në pompën e benzinës “D-Petrol” në Pejë, me qëllim të përfitimit material me pushkë automatike ka vrarë në mënyrë dinake tani të ndjerin Isa Karagjyzi, i cili ishte punëtor i pompës së benzinës.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me automjetin e tipit “Hammer” me targa amerikane kishte shkuar në këtë pompë benzine ku e kishte mbushur rezervuarin në shumën 128 euro.
Sipas aktakuzës, pasi Nimon Berisha kishte vërejtur që Isa Karagjyzi ndodhej vetëm në pompën e benzinës, kishte nxjerrë armën automatike AK 47 dhe e kishte qëlluar në gjoks me një predhë Karagjyzin, i cili po priste që Berisha t’i bënte pagesën për karburantin.
Në aktakuzë thuhet se Karagjyzi kishte vdekur nga goditja me armë, ndërsa i akuzuari i kishte marrë çantën e dorës në të cilën ndodheshin 2000 euro, duke ikur pastaj në drejtim të panjohur.
Në këtë proces gjyqësor përpos për vrasje të rëndë, Nimon Berisha akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Gjykimi për këtë çështje kishte nisur në Gjykatën Themelore të Pejës, por me vendim të Gjykatës së Apelit më 3 mars 2017, çështja në fjalë ka kaluar në kompetencë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke u kthyer përsëri në fillim, raporton Kallxo.
Kjo kishte ndodhur për shkak se avokati i mëparshëm i të pandehurit, Haxhi Çekaj, nga Prokuroria Speciale akuzohet për mashtrim.
Çekaj akuzohet se mashtroi të bijën e të akuzuarit Nimon Berisha, duke i shkaktuar dëm material në vlerën e 50 mijë eurove.
Hetime ishin bërë edhe ndaj anëtares së trupit gjykues ku është gjykuar rasti në Pejë, gjyqtares Nushe Kukaj- Metaj.
Pamje të rënda: Momenti i vrasjes që tronditi Pejën