Burgim me kusht ndaj Veli Hajrizaj, akuzohej për vjedhje të 70 votave në Kotorr të Skenderajt në zgjedhjet e 2017-ës

Veli Hajrizaj, ish kryesues i këshillit të vendvotimeve në Skenderaj është shpallur fajtor nga Gjykata e Mitrovicës për veprën penale falsifikim të votimeve.

Veli Hajrizaj u dënua me dënim me burgim me kusht prej 1 viti, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda 3 viteve Hajrizaj nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Gjykatësi Avni Mehmeti, si rrethana lehtësuese për marrjen e këtij vendimi kishte numëruar pranimin e fajësisë, faktin që për herë të parë kishte kryer vepër penale, i akuzuari është pensionit, kujdeset për një fëmijë të sëmurë dhe nga koha e kryerjes së veprës penale kishin kaluar më shumë se 5 vjet si dhe veprimi i tij i kunërligjshëm nuk ka ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve pasi që është evidentuar nga KQZ-ja, ndërsa si rrethanë renduese mori dashjen e të akuzuarit në kryerjen e veprës penale.

Hajrizaj akuzohet nga prokuroria se duke qenë kryeses i Këshillit të Vendvotimit në Kotorr të Skenderaj ka falsifikuar rezultatin e 70 votave.

Sipas prokurorisë me 11 qershor 2017, në fshatin Kotorr komuna e Skenderajt, në shkollën fillore “ Vëllezërit Frashëri” duke qenë kryesues i Këshillit të Vendvotimit ka keqpërdorur detyrën zyrtare ka shtuar dhe hequr votat, ku pas rinumërimit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve kur është bërë krahasimi i të dhënave është identifikuar ndryshimi i votave.