Foto: Kallxo.com

Skandali i korrupsionit në polici dëshmitari rrëfen rrjedhjen e informacioneve

Dëshmitarë të rinj janë dëgjuar në gjykimin e 14 ish-zyrtarëve policorë të Njësisë së Trafikut Mitrovicë – Jug, të akuzuar për marrje ryshfeti nga shoferët kundërvajtës.

Në seancën e sotme, të mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës, janë dëgjuar dëshmitarët Jeton Thaçi, Sasha Terentiq dhe Fadil Musliu.

Dëshmitari Jeton Thaçi, i cili kishte qenë udhëheqës i ekipit patrullues në Njësinë e Trafikut Rajonal në Mitrovicë të Jugut, ka thënë se nën mbikëqyrjen e tij kanë qenë të akuzuarit – Nazim Hamiti, Bojan Saviq dhe Arton Bimbashi.

Për të lartcekurit duke u përgjigjur pyetjeve të prokurores, Zejnije Kela, dëshmitari tha se nuk kishte pasur vërejtje në kryerjen e detyrave zyrtare dhe se nuk kishte pasur ndonjë ankesë nga qytetarët apo dikush tjetër.

Tutje dëshmitari Thaçi para trupit gjykues, me kryetar Avni Mehmeti dhe anëtarë Gezim Ademi e Mentor Hajra, ka sqaruar se kishte dalë në terren pa paralajmërim për t`i inspektuar pikat e kontrollit, ku kanë qenë duke punuar atëherë policët (tani të akuzuar), ndërsa sipas tij këto kontrolle kishin rezultuar që zyrtarët policorë kanë qenë në nivel të detyrës.

Kurse sa i përket arrestimit të të akuzuarve ka thënë se rreth një javë para se të arrestoheshin të pandehurit kishte dëgjuar thashetheme se Inspektorati Policor është duke ndërmarrë veprime hetimore.

Ndërsa dëshmitari tjetër Sasha Terentiq, i cili kishte qenë mbikëqyrës i ndërrimit në Njësitin e Trafikut Rajonal të Mitrovicës së Jugut, ka thënë se nën mbikëqyrjen e tij kanë qenë pesë zyrtarët policorë: Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Esat Haxhiu, Rushit Hoti dhe Sllavisha Spasiq.

Prokurorja Kela e ka pyetur këtë dëshmitar nëse kishte pasur njohuri që ndonjëri nga zyrtarët policorë gjatë detyrave të tyre të punës ka pranuar ndonjë dhuratë apo përfitim gjatë kohës sa ishin në mbikëqyrje të tij.

E dëshmitari ka thënë se nuk ka pasur informata të tilla nga askush.

Tutje gjatë dëshmisë së tij ka thënë se atij dhe katër kolegëve të tij i ishte ndërruar vendi i punës pas arrestimit të zyrtarëve policorë.

Në anën tjetër, dëshmitari Fadil Musliu, i cili mban pozitën e udhëheqësit të operativës në Trafikun Rajonal të Mitrovicës ka thënë se pas vitit 2006 këta (duke iu referuar të pandehurve) kanë qenë nëpër ekipe ndërsa ai kishte kaluar në operativën rajonale të trafikut, kështu që nuk i ka pasur në mbikëqyrje direkte.

14 ish-zyrtarët policorë: Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zekir Shala tani të akuzuar, përveç të pandehurit Destan Rrecaj ndaj të cilit është hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të 2016 nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Prokuroria e Mitrovicës në maj të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë sipas të cilës akuzoheshin 37 persona, në mesin e tyre 35 policë për marrje ryshfeti dhe dy qytetarë për dhënie ryshfeti, raporton KALLXO.com.

Në këtë rast, në mesin e të akuzuarve për veprën penale dhënia e ryshfetit kanë qenë edhe dy qytetarë, Slavolub Dimiq dhe Goran Gjuriq, të cilët e kanë pranuar fajësinë.

Ndërsa me propozimin e Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës u kishte shqiptuar urdhër ndëshkimor në qershor 2016 dhe të njëjtit i ka dënuar me gjobë prej 500 eurosh secilin.

Ndërsa procedura kishte vazhduar me 35 të akuzuarit e mbetur, dhe në gusht të vitit 2017 Gjykata në Mitrovicë me aktvendim kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Të gjithë të akuzuarve u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Në Gjykatë ishin të pranishëm 14 ish-zyrtarët policorë Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zekir Shala tani të akuzuar, përveç të pandehurit Destan Rrecaj ndaj të cilit është hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se përfituan për vete ndërsa e dëmtuan buxhetin e shtetit.