Dëshmitari në gjykimin për tentim vrasje: I akuzuari e kishte lënë thikën nën hapësirën e bankës time

Besim Smakaj sot u ulë në bankën e të akuzuarëve për t`u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë së Mitrovicës për tentim vrasjen e Kushtrim Sylanit.

Sipas Prokurorisë më 4 mars 2013 rrahja e filluar në mes të akuzuarit Smakaj dhe të dëmtuarit Sylani kishte përfunduar me vrasje në tentativë për këtë të fundit.

Në seancën e sotme ndonëse mungoi vet i dëmtuari Kushtrim Sylani dhe 3 dëshmitarë të tjerë u dëgjua dëshmitari Besim Biringjiku.

Biringjiku në deklaratën e tij tregoi se me të akuzuarin ishin shokë klase.

“Besimin e kam pas në klasë”, tha dëshmitari Biringjiku.

E lidhur me ngjarjen e 4 marsit dëshmitari tha se ai kishte qenë në klasë dhe nuk kishte ditur asgjë por në klasë përflitej se kishte ndodhur diqka jashtë.

“Unë kam qenë në klasë, pasi që në pushim të gjatë nuk kam dalë jashtë, nuk e di çka ka ndodhë, në klasë u fol se ka ndodh diqka jashtë”, tha Birimgjiku.

Më pas dëshmitari deklaroi se i akuzuari Besim Smakaj kishte shkuar së bashku me Zeqirin në klasë dhe thikën e kishin lënë në pjesën e bankës së dëshmitarit Besim Biringjikut.

“Pastaj ka ardhë Besimi dhe e ka lënë thikën nën bankë e cila i ka takuar hapësirës ku isha ulun unë”, vazhdoi ai.

Tutje dëshmitari tregoi se Policia kishin shkuar në klasë dhe kishin marrë Besimin, e më pas njëri polic ishte kthyer tek dëshmitari Besim Biringjiku për ta pyetur ku ishte thika.

“Më pas ka ardhur policia dhe e kanë marrë Besimin, dhe më pas ka ardhë një polic më ka kërkuar mua dhe ka thënë se Besimin Smaka ia ka dhënë thikën Besim Biringjikut a në fakt thika ka qenë aty ku e ka lënë Besimi dhe unë i kam treguar policit e më pas kemi shkuar në stacion”, vazhdoi tutje dëshmitari Biringjiku.

Në përfundim të dëshmisë së tij ai tha se nuk i kujtohej si dukej thika, por që mbetet prapa deklaratës së dhënë në polici.

Lidhur me lëndimet që kishte pësuar i dëmtuari Kushtrim Sylani nuk ishte përpiluar ekspertizë mjekoligjore në fazën e hetimeve andaj kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti sipas detyrës zyrtare urdhëroi kryerjen e ekspertizës mjekoligjore lidhur me shkallën e dëmtimeve që ka pësuar i dëmtuari, andaj edhe seanca u shtye në kohë të pacaktuar.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se më 4 mars 2013 i akuzuari Smakaj pas fjalosjen që kishte me të dëmtaurin Kushtrim Sylanin kishin filluar të rraheshin dhe në rrahje e sipër i akuzuari kishte nxjerrë thikën nga xhepi i jaknes duke e goditur 2 herë të dëmtuarin në pjesën e e përme të gjoksit.

Sipas Prokurorisë vepra kishte mbetur në tentativë pasi kishin ndërhyrë personat e tjerë, nxënësit e shkollës.