Hashim Thaçi dhe Federica Mogherini

DOKUMENT- Letra e Thaçit që u Injorua nga Mogherini

“Unë pres përgjigjen tuaj pozitive që shpreh pajtim me përmbajtjen e kësaj ftese”.

Në këtë mënyrë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, iu drejtua Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në letrën në të cilën i konfirmonte gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për t’ia vazhduar EULEX-it mandatin edhe për dy vjet.

Procedura e donte që zyrtarja e lartë nga Brukseli t’ia kthente një letër Thaçit, me të njëjtën mirësjellje, në mënyrë që letërkëmbimi të bëhej projekt-ligj dhe si i tillë të miratohej në ligj nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Por pritja e Thaçit doli të jetë joreale.

Ai nuk mori as përgjigje pozitive, as negative.

Mogherini zgjodhi të mos merrej fare me këtë letër.

“Në mungesë të një përgjigje tani ka nevojë që ky ligj të modifikohet dhe të quhet Ligji për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë”, tha Kuçi në mbledhjen e sotme urgjente të qeverisë.

Thaçi shkruante në këtë letër që fuqizimi i institucioneve të sundimit të ligjit është element kyç në përpjekjet e Kosovës drejt integrimit Evropian.

“E mirëpres mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për sektorin e drejtësisë, në veçanti përmes monitorimit të proceseve gjyqësore dhe këshillimin e ofruar për institucionet tona”, thuhet në letër.

“Në frymën e mirëbesimit dhe për të treguar zotimin tonë për mandatin e EULEX KOSOVA dhe mbështetjen e misionit të tij, unë i bëj thirrje Shkëlqesisë Suaj, përmes kësaj letre dhe sipas autoritetit nga neni 19 dhe 20 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që të përgjigjeni duke e shprehur gatishmërinë e BE-së që të vazhdojë të ofrojë prokurorë, gjyqtarë dhe policë me përvojë dhe dije që të shërbejnë në Misionin EULEX KOSOVA”, shkruante Thaçi në këtë letër.

KALLXO.com e ka siguruar letrën të plotë të cilën mund ta lexoni më poshtë:

1a 2a 3a 4a