Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyra e Prokurorit të Specializuar tregon arsyet e arrestimit të Isni Kilajt dhe dërgimin e tij në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arrestuar ish-kryetarin e Malishevës, njëherësh ish-komandantin e UÇK-së, Isni Kilaj.

Arrestimi i tij është bërë në zbatim të një urdhri të lëshuar nga Prokurorja e Specializuar.

Pas arrestimit, Kilaj është dërguar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ku do të paraqitet para gjykatësit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Siç thuhet në njoftim, arrestimi ka lidhje me vepra të ndryshme penale, duke përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

DHSK ka bërë të ditur se Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka ofruar mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në gjatë këtij operacioni, në përputhje me mandatin dhe kompetencat e saj, sipas legjislacionit të Kosovës. Po ashtu, Policia e Kosovës ka dhënë mbështetje operative për ZPS-në.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se do të vazhdojë të hetojë dhe të ndjekë penalisht të gjithë ata që janë të përfshirë në pengimin e drejtësisë dhe veprat penale të ngjashme, përfshirë ata që frikësojnë dëshmitarët apo ofrojnë mbështetje financiare për këto vepra” – thuhet në njoftimin e ZPS.