Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

ZKA: KEK vendosi kritere të panevojshme në një tender

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Korporata Energjetike e Kosovës kishte vendosur një kriter të panevojshëm në tenderin për “Furnizim me pjesë ndërrimi për eskavator (Liebherr) në vlerë 55 mijë euro.

raportin e ZKA-së thuhet se KEK për këtë tender kishte kërkuar që “operatorët ekonomik të sjellin autorizim nga prodhuesi i pajisjes ose dileri i autorizuar për produktet”.

Por njëri nga operatorët ekonomik kishte kërkuar që një kriter i tillë të hiqet me arsyetimin se në Kosovë ka vetëm një distributor të autorizuar për shitjen e pjesëve të “Liebherr” dhe asnjë operator tjetwr ekonomik nuk mund të siguroj këtë autorizim.

“…rrjedhimisht KEK ishte duke favorizuar një OE të vetëm në çdo aktivitet prokurimi për këtë furnizim”- thuhet në raportin e ZKA-së.

Një kërkesë të tillë e kishte refuzuar KEK duke ia dhënë kontratën pikërisht operatorit ekonomik për të cilin thuhej se është i vetmi që posedon autorizimin nga prodhuesi.

Në raportin e ZKA-së thuhet se menaxhmenti i KEK ka vendosur që në tenderët që zhvillohen pas datës 1 mars 2023 të mos aplikohet më kjo kërkesë.

“Vendosja e kërkesave të panevojshme ndaj operatorëve ekonomik sidomos kur dihet se këto kërkesa e reduktojnë konkurrencën, mund të shkaktojë diskriminim mes operatorëve dhe mund të shpie në çmime jo ekonomike” – ka konstatuar ZKA.

Në raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Korporatën Energjetike të Kosovës janë dhënë 15 rekomandime të reja.

Në vitin paraprak, ZKA kishte dhënë 21 rekomandime nga të cilat këtë vit 16 janë zbatuar pjesërisht.

Për vitin 2022, ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për KEK.

Korporata Energjetike e Kosovës është pajtuar me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së.