Ilustrim

Zjarr në një fabrikë në Budrikën e Poshtme të Parteshit

Një fabrike prodhuese në komunën e Parteshit është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Sipas Policisë, zjarrfikësit kanë lokalizuar zjarrin që ka shpërthyer në rrethana ende të pa njohura.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Valon Osmani, zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjilanit.

‘’Më 08.02.2024 në ora 00:50 Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar informacion se në fshatin Budrikë e Poshtme, një objekt (fabrikë prodhuese) është përfshirë nga zjarri”- ka thënë Osmani.

Sipas tij njësitet policore relevante së bashku me njësitin e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Zjarri është lokalizuar dhe përpos dëmeve materiale, lëndime nuk ka pësuar askush. Për momentin shkaqet e zjarrit janë të panjohura. Hetuesit policor nga njësiti i hetimeve në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar në ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të rastit’’- tha Osmani për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Zjarrfikësit – Njësia në Gjilan të cilët ka dhënë detaje për rastin.

“Gjatë orës 01:00 ka ndodhur rasti i zjarrit në fshatin Budrikë të Poshtme, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, por lëndime trupore nuk ka pasur. Nuk ka as të lënduar as viktima. Ekipi i zjarrfikëseve ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka lokalizuar zjarrin”, ka thënë Fatmir Kastrati, shef i ndërrimit të zjarrfikësve në Gjilan.

“Policia në bashkëpunim me njësitë e tyre ishin në vendin e ngjarjes duke punuar në zbardhjen e rastit’’- tha Kastrati.