Zhvillimet e fundit nga lufta në Ukrainë

Hungaria do ta bllokojë disbursimin e këstit të ardhshëm të ndihmës ushtarake për Ukrainën në kuadër të Facilitetit Europian të Paqes derisa Kievi të japë “garanci” se OTP bank ose kompani tjera hungareze nuk do të futen në listën e zezë si “sponsorë ndërkombëtarë të luftës”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Hungarisë.

Xi Jinping dhe Joe Biden pritet të diskutojnë mbi Ukrainën, Lindjen e Mesme, lidhjet e Koresë së Veriut me Rusinë dhe Tajvanin, të drejtat e njeriut dhe intelegjencën artificiale, në një takim të planifikuar për të mërkurën në samitin e APEC.

Ndihma e Gjermanisë për Ukrainën do të “zgjerohet masivisht” vitin e ardhshëm, ka thënë ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock. Barbock ka thënë se “ne jo vetëm që do të vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën, ne do të vazhdojmë ta zgjerojmë dhe rrisim atë, veçanërisht nga ana e Republikës Federale të Gjermanisë, jo vetëm me synimin për mbrojtjen e dimrit për javët dhe muajt e ardhshëm kur është e qartë se presidenti rus do t’i shfrytëzojë edhe një herë nevojat e njerëzve në dimrin e ftohtë. 

Të paktën tre oficerë rusë janë vrarë në qytetin ukrainas të kontrolluar nga Moska, Melitopol, në një shpërthim për të cilin intelegjenca e Ukrainës tha se ishte një “akt hakmarrjeje” nga grupet e rezistencës lokale.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe sekretari i jashtëm britanik i sapoemëruar David Cameron kanë diskutuar mbi konfliktin Izrael-Hamas, marrëdhëniet me Kinën dhe ndihmën për Ukrainën gjatë një bisede telefonike të hënën, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Departamenti i Shtetit.  

Blinken i premtoi një zyrtari të lartë ukrainas mbështetjen e SHBA-së duke përfshirë ndihmën për ta tejkaluar dimrin, me Rusinë që pritet ta sulmojë sërish infrastrukturën e Kievit. Blinken u takua me Andriy Yermak, ndihmës kryesor i Presidentit Volodymyr Zelenskiy, në një ndalesë të shkurtër në Uashington midis turneut të fundit të diplomatit të lartë amerikan për krizën në Lindjen e Mesme dhe një samiti Azi-Paqësor në San Francisko.

Save Ukraine, një organizatë që fokusohet në shpëtimin e njerëzve më të cenueshëm të vendit, ka thënë se shpëtimtarët e saj kanë evakuuar më shumë se 108,880 njerëz nga vijat e frontit që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022. Kjo organizatë ka thënë se rrjeti i saj i shpëtimit ofroi ndihmë humanitare për më shumë se 186,450 njerëz, me operatorët e saj të linjës telefonike që kanë bërë më shumë se 161,425 thirrje nga ukrainasit që kanë nevojë urgjente për ndihmë.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka bërë thirrje për një rritje të ndihmës ushtarake për Ukrainën, për marrjen e vendimeve në dhjetor për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe për ta përshpejtuar punën për paketën e 12-të të sanksioneve kundër Rusisë, ka thënë një deklaratë e lëshuar  nga Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës.

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se Ukraina është prioriteti kryesor i bllokut të BE-së dhe se nuk do të ketë “lodhje në angazhimin tonë” për ta mbështetur Ukrainën. 27 ministrat e jashtëm të BE-së dhanë një mesazh të bashkuar mbështetjeje për Ukrainën të hënën pasi e mirëpritën ministrin e jashtëm Kuleba./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala