Sekretari i NATO-s, Mark Rutte, dhe presidenti Donald Trump, në takimin e 13 marsit 2025 në Shtëpinë e Bardhë. Burimi: NATO

Zemërimi i Trumpit për Iranin e zhyt NATO-n në krizë të re

Aleanca e NATO-s ka mbijetuar viteve të fundit sfida ekzistenciale – duke nisur nga lufta në Ukrainë deri te sulmet e shumta dhe ofendimet nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim misionin e saj kryesor dhe ka kërcënuar ta pushtojë Grenlandën, ka shkruar të premten (03.04.2026) agjencia Reuters në një shkrim analitik pas përplasjeve të fundit ndërmjet aleatëve.

Por është lufta e aleatëve amerikano-izraelitë kundër Iranit, mijëra kilometra larg Europës, që pothuajse e ka përçarë bllokun 76-vjeçar dhe kërcënon ta zhysë në pozitën më të dobët që nga themelimi, thonë analistët dhe diplomatët.

Trump, i acaruar që vendet europiane refuzuan të dërgojnë marinsat e tyre për hapjen e Ngushticës së Hormuzit për anijet globale pas fillimit të luftës ajrore më 28 shkurt, ka deklaruar se po shqyrton tërheqjen nga aleanca.

“A nuk do ta bëje nëse do të ishe në vendim tim?” – ka pyetur Trump Reutersin në intervistën e së mërkurës.

Në një fjalim të mërkurën në mbrëmje, Trump do të kritikonte aleatët e SHBA-së, por nuk e dënoi NATO-n, siç menduan shumë ekspertë.

Por, bashkë me kritika të tjera drejtuar europianëve javëve të fundit, komentet e presidentit Trump kanë provokuar shqetësim të paparë se SHBA-ja nuk do t’u dalë zotë aleatëve ueuropianë nëse sulmohen, pavarësisht nëse Uashingtoni del zyrtarisht apo jo.

Rezultati, thonë analistët dhe diplomatët, është se aleanca e themeluar në kohën e Luftës së Ftohtë, që ka shërbyer prej kohësh si struktura thelbësore e sigurisë europiane, po dobësohet dhe marrëveshja e mbrojtjes së ndërsjellë në thelbin e saj, më nuk po merret e mirëqenë.

“Kjo është pozita më e keqe në të cilën ka qenë (NATO-ja) që nga themelimi i saj”, ka theksuar Max Bergmann, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit i cili tani drejton Programin për Europë, Rusi dhe Euroazi në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Është vërtet e vështirë të mendosh për diçka që i afrohet kësaj”.

Ky realitet po u bëhet i qartë europianëve, të cilët e kanë llogaritur NATO-n si fortifikatë kundër një Rusie gjithnjë e më agresive.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte hedhur poshtë në shkurt idenë e mbrojtjes së Europës pa SHBA-në si “mendim të pamend”. Tani, shumë zyrtarë dhe diplomatë e konsiderojnë atë si diçka të pritshme.

“NATO-ja mbetet e nevojshme, por ne duhet të jemi të aftë të mendojmë për NATO-n pa amerikanët”, ka paralajmëruar gjenerali Francois Lecointre, i cili shërbeu si shef i forcave të armatosura të Francës nga viti 2017 deri më 2021.

“Nëse duhet të vazhdojë të quhet NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – është pyetje që mund të shtrohet”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, ka thënë: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë zhgënjimin ndaj NATO-s dhe aleatëve të tjerë, dhe siç theksoi presidenti, ‘Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë mend'”.

Një përfaqësues i NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Reutersit për koment.

Kësaj here është ndryshe

NATO-ja është sfiduar edhe më parë, jo vetëm gjatë mandatit të parë të Trumpit nga viti 2017 deri në vitin 2021, kur gjithashtu kishte folur për tërheqje nga aleanca.

Por, ndërsa shumë zyrtarë europianë besonin deri vonë se presidenti Trump mund të mbahet afër vetes me lavde e lajka, tani kanë më pak besim, tregojnë bisedat të zhvilluara me dhjetëra ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë amerikanë dhe europianë.

Trump dhe zyrtarët e tij kanë shprehur zhgënjim për çka e shohin si mungesë gatishmërie të NATO-s për t’i ndihmuar Shtetet e Bashkuara në kohë nevoje, duke përfshirë mosofrimin e ndihmës direkte për çështjen e Ngushticës së Hormuzit dhe duke kufizuar përdorimin e disa aeroporteve dhe hapësirës ajrore për SHBA-në. Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se NATO-ja nuk mund të jetë “rrugë njëkahëshe”.

Zyrtarët europianë kundërshtojnë këtë qasje duke thënë se nuk kanë pranuar kërkesa nga SHBA-ja për asete specifike për mision për hapjen e ngushticës dhe qahen se Uashingtoni ka qenë i paqëndrueshëm nëse një mision i tillë do të vepronte gjatë apo pas luftës. “Është një situatë e tmerrshme për NATO-n”, ka thënë Jamie Shea, ish-zyrtar i lartë i NATO-s, i cili tani është bashkëpunëtor i lartë në grupin e mendimit, “Miqtë e Evropës”.

“Është një goditje për aleatët të cilët, qëkur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, kanë punuar shumë për ta treguar se janë të gatshëm dhe të aftë të marrin më shumë përgjegjësi (për mbrojtjen e tyre)”.

Komentet e fundit të presidentit Trump vijnë pas shenjave të tjera të një aleance gjithnjë e më të paqëndrueshme.

Ato përfshijnë kërcënimet e tij të shtuara në janar për marrjen e Grenlandës nga Danimarka dhe lëvizjet e fundit nga amerikanët që europianët i shohin si veçanërisht akomoduese ndaj Rusisë, të cilën NATO-ja e ka definuar si kërcënimin e saj kryesor për sigurinë.

Administrata amerikane ka heshtur në thelb ndaj raporteve se Moska ka siguruar të dhëna për synimin e Iranit për të sulmuar asetet amerikane në Lindjen e Mesme dhe ia ka hequr sanksionet naftës ruse në përpjekje për uljen e çmimeve globale të energjisë që gjatë luftës  janë rritur theksueshëm.

Në një takim të ministrave të jashtëm të G7 afër Parisit javën e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, patën një shkëmbim të tensionuar, sipas pesë personave të informuar me çështjen, duke nënvizuar marrëdhënien gjithnjë e më të tensionuar transatlantike.

Kallas pyeti se kur do të sosej durimi i SHBA-së për presidentin rus, Vladimir Putin, për negociatat e paqes në Ukrainë, duke nxitur sekretarin Rubio t’ia kthente me acarim se SHBA-ja po përpiqet t’i japë fund luftës, ndërsa njëherësh t’i ofrojë mbështetje Ukrainës, porse BE-ja është e mirëpritur të ndërmjetësojë nëse do.

 

S’ka kthim prapa

 

Ligjërisht, Trump mund të mos ketë autoritetin për dalje nga NATO-ja. Sipas një ligji të miratuar në vitin 2023, presidenti i SHBA-së nuk mund të dalë nga aleanca pa pëlqimin e dy të tretave të Senatit të SHBA-së, një prag pothuajse i pamundshëm.

Por analistët thonë se si komandant i përgjithshëm, Trump mund të vendosë nëse ushtria amerikane do të mbrojë anëtarët e NATO-s. Refuzimi në një rast nevoje mund aë rrezikojë aleancën pa tërheqje zyrtare.

Sigurisht, jo të gjithë e shohin krizën aktuale si ekzistenciale. Një diplomat francez e përshkroi retorikën e presidentit si shpërthim kalimtar zemërimi.

Presidenti Trump e ka ndryshuar qëndrimin ndaj NATO-s më parë.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, do të deklaronte se do ta inkurajonte Putinin t’i sulmojë anëtarët e NATO-s që nuk paguajnë hisenë e tyre për mbrojtjen. Deri në samitin e fundit vjetor të NATO-s, në qershor 2025, kishte fjalë të mira për aleancën. Madje presidenti Trump mbajti një fjalim duke lavdëruar me eufori liderët europianë si njerëz që “i duan vendet e tyre”.

Rutte, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, i cili ka një marrëdhënie të fortë me Trumpin, do të vizitojë javën e ardhshme Uashingtonin në përpjekje për t’ia ndryshuar Trumpit përsëri pikëpamjet.

Analistët thonë se vendet europiane kanë arsye të mira për ta mbajtur SHBA-në të angazhuar në NATO, pavarësisht dyshimeve nëse Trump do t’i mbronte në rast nevoje. Ndër arsye të tjera, është edhe ajo se ushtria amerikane ofron gamë të gjerë kapacitetesh që NATO-ja nuk mund t’i zëvendësojë lehtësisht, siç është inteligjenca satelitore. Edhe nëse presidenti Trump dhe europianët gjejnë një shteg për të qëndruar tok rreth NATO-s, thonë diplomatë, analistë dhe zyrtarë, aleanca transatlantike që ka qenë thelbësore për rendin global që nga Lufta e Dytë Botërore, mund të mos jetë kurrë e njëjtë.

“Mendoj se po e kthejmë faqen e 80 viteve të punës së përbashkët”, ka thënë Julianne Smith, ambasadorja e SHBA-së në NATO në kohën e presidentit demokrat, Joe Biden.

“Nuk mendoj se kjo do të thotë fundi i marrëdhënies transatlantike, por jemi në prag të diçkaje që do të ketë pamje dhe ndjesi të ndryshme”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com