Vrasje e Gjyljeta Ukellës në Pejë, ‘Kolektivi për mendim dhe veprim feminist’ me aksion te Forumi për Paqe

Aktivistë të “Kolektivit për mendim dhe veprim feminist”, kanë mbajtur sot, më 16.04.2024, një aksion para hotelit ku është duke u mbajtur forumi “Paqja, Siguria dhe Gratë” i organizuar nga Presidenca e Kosovës.

Por, aktivistët thonë se janë ndaluar nga policia dhe sigurimi për t’u futur në forum.

Gjatë aksionit, aktivistët kanë mbajtur edhe një baner ku shkruhej: “Mjaft me konferenca! Shpalleni gjendjen emergjente tani!”.

Përmes një njoftimi në Facebook, Kolektivi ka bërë të ditur se ishin nisur drejt forumit për paqe për të kërkuar ndalje të ritmit të zakonshëm të punës dhe shpallje të situatës emergjente në vend.

“Sot u zgjuam me lajmin që edhe një burrë vrau një grua tjetër në Pejë. Të revoltuar/a ne u nisëm drejt Forumit Paqja, Siguria dhe Gratë të organizuar nga Presidenca e Kosovës për të kërkuar ndalje të ritmit të zakonshëm të punës dhe shpallje të situatës emergjente në ven”- thuhet në njoftim.

Por, aktivistët janë ndaluar nga policia dhe sigurimi i presidencës, me arsyetimin se prezenca e aktivistëve dhe baneri i tyre, paraqesin rrezik për sigurinë e forumit, njëkohësisht e dëmtojnë imazhin e Kosovës në sy të ndërkombëtarëve dhe që audienca aty është e selektuar dhe nuk u lejuan të hyjmë.

“Në këtë gjendje alarmi, ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar/a dhe të braktisur/a nga shteti i cili po na konsideron neve si kriminele/ë, ndërsa dhunuesit po i lë të lirë deri kur ata po i vrasin gratë. E përgjigja e shtetit, është të shkruajë statuse të thata në rrjete sociale. Na tmerron dhe revolton edhe më tej, insistimi patriarkal i shtetit që dhuna dhe femicidi të mos bien në vesh të ndërkombëtarëve, sjellje kjo që është identike me heshtimin e dhunës nga familja e shoqëria që e skajon atë në çështje private deri në vrasje”- thuhet në njoftim.

Por, aktivistët e “Kolektivit për mendim dhe veprim feminist” kanë thënë se nuk do të heshtim deri sa të ketë drejtësi, siguri dhe liri në vend për të gjitha vajzat e gratë.

Mëngjesin e sotëm, më 16.04.2024, në Pejë, u vra Gjyljeta Ukella. I dyshuari për këtë vrasje është bashkëshorti i saj, Edmond Lajçi.

Vrasja e gruas në Pejë, bashkëshorti i saj dorëzohet në Polici