Të akuzuarit: Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj, seanca 09.01.2024, Foto:Jetlira Buzhala/KALLXO.com

Vrasja e trefishtë në Gllogjan - Rrëfimi i prindit që iu vra vajza

“Me zakonet tona nëse dikujt i’u ka përmend emri, se e ka ba një të keqe, ai patjetër ka ardhë edhe ka dasht me u arsyetu se nuk ka asgjë me këtë punë. Në këtë rast as Halili nuk ka ardhë asnjeherë tek unë, as nuk m’kan thirr në telefon as mua as vëllaun tim, për ta arsyetuar këtë vrasje”.

Kështu tha në Gjykatën e Pejës, Florim Mustafaj, prindi i nxënëses së vrarë në Gllogjan, ku u sulmua një autobus me nxënës.

Detaje të reja u thanë sot në këtë gjykim ndaj të akuzuarit Halil Mehmetaj, me djemtë e tij Kreshnikun e Kastriotin.

Në këtë seancë u mësua se i akuzuari Halil Mehmetaj bashkë më dëshmitarin e kishin regjistruar bashkë në shkollë të mesme nxënësen e ndjerë.

“Florim, kush e ka regjistru Gentën në shkollë?” – e pyeti i akuzuari dëshmitarin Mustafaj sot në seancë.

“Unë dhe ti, bashkë e kemi regjistru” – u përgjigj ai para gjykatës.

Kjo vajzë kishte mbetur e vrarë pasi autobusi që po bartte atë dhe nxënësit tjerët nga shkolla ishte sulmuar me kallashnikov mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021.

Tri viktima kishin mbetur nga ky sulm, e për këtë po akuzohen tre persona.

Halil Mehmetaj, me djemtë e tij Kreshnikun e Kastriotin kanë dalë edhe sot para gjykatës për ta dëgjuar rrëfimin e kushëririt të tyre, Florimit.

“Jemi kusherinj, raportet i kemi pas gjithmonë të mira, normale”- tha Mustafaj para gjykatës.

Ai shtoi tutje, se pas arrestimit të këtyre, ishte bindur se këta ishin personat që e kishin kryer këtë vrasje.

Ai dha detaje edhe lidhur me sjelljen e të akuzuarit Halil Mehmetaj, duke thënë se i njëjti kishte ardhur në të pame me fytyrë të zbehur, kokë-ulur dhe nuk ishte sjellë sikur në të pamet tjera. Këto detaje ia kishin thënë dëshmitarit shokët e tij, ngase sipas tij nuk kishte vërejtur diçka pasi që kishte qenë “me mërzitë e veta’’.

Tutje, ai foli edhe për natën kritike kur kishin shkuar te spitali, tek fëmijët e vrarë.

“Mua nuk m`kanë lanë me hy. Nuk e kam pa Halilin në oborrin e spitalit. Ka pasur aty shumë shokë dhe shumë bashkëfshatarë. Halili nuk ka qenë” – rrëfeu Mustafaj.

Veç kësaj ai dha edhe një detaj të cilin nuk e kishte thënë më herët.

Sipas tij, i akuzuari pas të pames i ishte drejtuar me këto fjalë të cilat kishin mbetur në mendjen e dëshmitarit.

“Florim, kur të përmendet konopi dhe kur të degjohet fjala kallash, për ty dhe për mua na brenë (shqetëson) kjo punë. Se vajza jem u vra në konop, e vajza jote është vra me kallash”.

Kjo çështje ka të bëjë me motivin e vrasjes sipas prokurorisë.

Pretendimet e prokurorisë janë që kjo vrasje ka qenë në shenjë hakmarrjeje të familjes Mehmetaj ndaj G. Gj. shoferit të autobusit, për vetëvrasjen e H. M. vajzës së të akuzuarit Halil Mehmetaj, një vit para ngjarjes tragjike të Gllogjanit.

Në fund të dëshmisë së të njëjtit, i akuzuari Halil Mehmetaj tha se nuk po besonte se ai (Florimi) kishte ardhur për të dëshmuar kundër tij.

“Nuk po u besoj as syve e as veshve që Florimi është duke dëshmuar kundër meje, sepse e kam pasur vëlla”- u shpreh ai para gjykatës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre, Halili i kishte shtyrë në këto veprime.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat që u vihen në barrë nga Prokuroria.

Halil Mehmetajt nuk iu kishte aprovuar pranimi i fajësisë për armëmbajtje pa leje nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.

Për vetëvrasjen e motrës së tij, i akuzuari Kastriot Mehmetaj në nëntor të vitit të kaluar kishte thënë se ajo kishte lënë një letër në të cilën nuk kishte fajësuar askënd.

Për atë rast (vetëvrasjen) ia kemi lënë drejtësisë, ka dalë që ka qenë depresion momental. Nuk e kemi akuzu askënd, jemi duke u mbajtë padrejtësisht”- ishte shprehur i akuzuari para Gjykatës.

Prokurorja e rastit Sahide Gashi kishte thënë se do të vërtetohet gjatë këtij gjykimi motivi i vrasjes përmes këtyre dëshmive të dëshmitarëve e përmes provave materiale, ku përfshihen skica, kamera të sigurisë e përgjime të bisedave mes të akuzuarve.

Sipas Gashit, municionet që ishin gjetur te familja Mehmetaj kishin përkuar me karakteristikat dhe prejardhjen e armës së gëzhojave që ishin gjetur në vendin e ngjarjes.

Për këto pretendime, avokatja Kosovare Kelmendi kishte thënë se është normale të kenë ngjashmëri me karakteristikat dhe prejardhjen e armëve meqë ato armë ishin që nga koha e pasluftës dhe ishin nga i njëjti prodhues.

Ajo kishte shtuar se ky rast duhet trajtuar me kujdes.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky institucion në maj 2023, ku u shpalosën detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.

Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Vrasja kishte ndodhur në orët e mbrëmjes derisa një autobus po qarkullonte në rrugë nëpër Gllogjan.

Në këtë rast ishte dëgjuar edhe prindi i nxënësit të ndjerë, Beqë Hamzaj.

Ai kishte rrëfeyer momentet e mbrëmjes kritike duke thënë se djali i tij kthehej zakonisht nga shkolla në 18:50 minuta, kurse atë natë i kishte shkruar nënës së tij diku rreth orës 18:35

Atë natë djali im – i ndjeri, diku edhe 25 në 7 i ka shkru nanës së vet “bama bukën gati se jam ka vij e nuk vanohna. Mua zakonisht djali më vijke edhe 15 minuta në 7 ose 10 minuta në 7. E kam marr telefonin dhe e kam thirrë”- kishte thënë ai para gjykatës.

Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

Ky rast është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni në LINK