Autobusi i sulmuar me armë zjarri në Gllogjan më 26.11.2021 - Foto: KALLXO.com

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, prokuroria ngriti aktakuzë ndaj 3 personave - VIDEO

Gati 1 vit e gjysmë nga vrasja e trefishtë që kishte ndodhur në Gllogjan të Komunës së Deçanit, Prokurorja Sahide Gashi ka dalë me detaje të reja në lidhje me rastin.

Në një konferencë për media, prokurorja Gashi ka thënë se, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndaj Halil Mehmetaj për shtytje në kryerje të veprës penale.

Prokurorja e Prokurorisë së Pejës, Sahide Gashi, Foto: KALLXO.com

Tre persona kishin mbetur të vdekur dhe një ishte plagosur, nga sulmi me armë zjarri që kishte ndodhur mbi autobusin me udhëtar në fshatin Gllogjan të Deçanit më 26 nëntor të vitit 2021.

Dy nga të vdekurit ishin nxënës ndërsa personi tretë sipas të dhënave zyrtare nga Policia në Pejë ishte drejtuesi i autobusit.

Ngjarja e ndodhur në Gllogjan në nëntor të vitit 2021 ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Vrasja kishte ndodhur në orët e mbrëmjes deri sa një autobus po qarkullonte në rrugën nëpër Gllogjan.

Për këtë rast ishin arrestuar tre persona. Arrestimi erdhi vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë që kishte ndodhur.

Fillimisht pas arrestimit, Prokurorja e rastit Sahide Gashi kishte kërkuar nga Gjykata e Pejës që të dyshuarve tu caktohej masa e paraburgimit nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.

Gjykata e Pejës kishte aprovuar kërkesën e prokurores Gashi dhe kishte caktuar masën e paraburgimit për tre të dyshuarit.

Tutje në janar të vitit 2022 njërit nga të arrestuarve më 11 dhjetor të vitit 2021, i ishtë zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak.

Në shkurt të vitit 2022, ishte arrestuar edhe personi i katërt i dyshuar për ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur në Gllogjan.

Ky i dyshuar sipas burimeve të KALLXO.com, ishte familjar i tre të dyshuarve që ishin arrestuar paraprakisht.

KALLXO.com në atë kohë kishte raportuar se në drejtim të autobusit i cili u qëllua me Kallashnikov janë shkrepur më pak se dhjetë plumba. Të gjithë plumbat kanë qëlluar personat në autobus, tre prej të cilëve nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të marra e një tjetër është ende duke u trajtuar.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur predhat e plumbave të Kallashnikovit me të cilin u sulmua autobusi.

Ekipe të shumta policore, prokuroria speciale, ajo e Pejës, autoambulanca e njësi të tjera të institucioneve të sigurisë e drejtësisë kishin dalë në atë kohë të gjithë në vendin e ngjarjes për disa ditë me radhë për të zbuluar rastin.

Për disa ditë ekipet e policisë kontrolluan në çdo cep për të gjetur prova dhe fakte në lidhje me vrasjen e cila ndodhi në Gllogjan.