Vrasja e Liridona Ademajt, tre të pandehurve u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë

Të dyshuarve për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, bashkëshortit të saj, Naim Murseli, si dhe Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës u është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar më 27.02.2024 zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K…, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin. Masa e paraburgimit të pandehurve iu llogaritet prej datës 29.02.2024 deri më datë 28.04.2024”- thuhet në përgjigjen e Gashit.

Murseli, Kokalla e Plava janë të pandehur lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29.11.2023.

Gjykata e Prishtinës më 03.12.2023 kishte caktuar një muaj paraburgim për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën.

Vendimi ishte marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Sulltane Hoti.

Disa ditë pas ngjarjes, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një të dyshuar tjetër në lidhje me këtë rast.

I arrestuari i katërt dyshohet se kishte armën me të cilën është kryer vrasja.

Dosja e Prokurorisë

Sipas dosjes së Prokurorisë, të cilën e kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, më 29.11.2023, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli, ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në Gjakovë në ora 9:30 të mëngjesit.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një rast të grabitjes, i cili kishte rezultuar më pas me vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas vendimit të Gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka.”

Pas këtij takimi, Naim Murseli kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas Prokurorisë dyshohet të jetë Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur më 29.11.2023 rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi”.

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë, dhe, sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur Liridona Ademaj.

Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend.

Krejt ky inskenim, sipas dosjes së Prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumën prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.

Mbi Naim Murselin rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse mbi Plavën rëndojnë vepra penale – vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa mbi Kushtrim Kokallën marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.