Ish-kryeshefi i KPM-së, Luan Latifi, Foto: KALLXO.com

Akuzat për marrje të ryshfetit ndaj ish-kryeshefit të KPM-së, prokurori thotë se vërtetua vepra e mbrojtja pretendon për fshehje të provave

Ish-kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi, ka dalë sot para Gjykatës së Prishtinës për t’u përballur me akuzat për korrupsion. I njëjti akuzohet të ketë marrë 8 mijë euro ryshfet nga kompania “TelKos”.

Sot është mbajtur seanca e fundit në gjykimin ndaj Latifit, para shpalljes së aktgjykimit, në të cilën u thanë fjalët përfundimtare sa i përket kësaj procedure.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Zef Prenrecaj tha se bindshëm është vërtetuar se është kryer vepra penale dha ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor.

Si rrethana rënduese ka propozuar shkallën e lartë të dashjes, faktin se është person zyrtar, planifikimin e mirë të përfitimit e faktin se nuk ka shprehur keqardhje për veprimet e veta.

Ai gjithashtu propozoi që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënim plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit në administratën publike.

Ndërkaq, mbrojtja e Luan Latifit, avokati Driton Musliu i ka quajtur deklaratat e dëshmitarit Elhami Hazirit si manipulime e shpifje.

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kemi dëgjuar keqcitime, manipulime, shpifje dhe deklarata të rreme nën betim për të vetmin qëllim që doemos Luan Latifi të shpallet fajtor” – tha avokati Musliu.

Mbrojtja tha se Prokuroria gjatë përpilimit të aktakuzës ka fshehur prova dhe ka nxjerrë mesazhe telefonike nga konteksti.

“Shumë është lehtë me i nxjerrë fjalët prej kontekstit dhe me dërgu secilin prej neve në burg, kaq ka siguri juridike në Kosovë” – vazhdoi avokati Musliu.

Fjalën e mori edhe avokati Naim Rudari, përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar “TelKos”.

Rudari kërkoi nga trupi gjykues që t’i analizojë të gjitha provat dhe të akuzuarin ta shpallë fajtor e ta dënojë me dënimin e merituar.

Ai gjithashtu shtoi se nuk ka asnjë rrethanë për lehtësimin e dënimit në këtë rast, si dhe propozoi dënimin plotësues, njëlloj si prokurori i rastit Zef Prenrecaj.

Ky rast po gjykohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues me kryetarin Alban Ajvazi dhe anëtarët Sulltane Hoti dhe Avni Syla.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më 13 shkurt 2024.

Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Arben Bilalli, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur për Media, i cili u shpall fajtor dhe u dënua me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë.

Gjykata i ka shqiptuar Bilallit edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në administratës publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 viteve.

I njëjti ishte akuzuar për korrupsion në bashkëkryerje me ish-kryeshefin Luan Latifin, por që për dallim nga ky i fundit, Bilalli e kishte pranuar fajësinë në seancën fillestare.

Sipas aktakuzës, Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Arben Bilalli, si drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”.

Dosja e prokurorisë tregon se si kryeshefi kishte pranuar ryshfet nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “TelKos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se ajo kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke deklaruar se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Ndërsa, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të jepnin 10 mijë euro, ku në atë moment, i akuzuari Bilalli sipas prokurorisë i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon, veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për t`u bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Prokuroria tutje pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro.