Foto: KALLXO.com

Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi, dështon seanca ndaj vëllezërve të akuzuar

Seanca gjyqësore ndaj vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi, nuk ka arritur të mbahet të hënën më 11.03.2024.

Mos mbajtja e seancës ka ardhur si pasojë e mungesës së prokurorit Armend Hamiti për shkaqe shëndetësore. Ky ishte njoftimi i gjyqtares, Medie Bytyqi për të pranishmit në gjykatore.

Në këtë rast, seancat e datës 23.01.2024 dhe 30.11.2023, kanë qenë të mbyllura për publikun pas kërkesës së prokurorit, Armend Hamiti.

Biznesmeni Bedri Rexhepi ishte zhdukur që nga 8 prilli vitit 2021 dhe mbetjet e tij ishin zbuluar të dekompozuara në shtator të vitit 2022.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 08.04.2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë – Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t`i lexoni duke klikuar në LINK