I akuzuari Sllobodan Radenkoviq duke u sjellë në sallën e gjyqit, Foto: KALLXO.com
Dy vjet burg dhe 15 mijë euro dënim me gjobë për të akuzuarin për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it në vitin 2023
I akuzuari Sllobodan Radenkoviq është dënuar nga Gjykata e Prishtinës për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29.05.2023 dhe pjesëmarrje në turmë që kryejnë vepër penale dhe huliganizëm.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Radenkoviq ka marrë pjesë në grupin e personave që kishin sulmuar pjesëtarët e KFOR pasi të njëjtit kishin vendosur masa parandaluese përreth objektit të Komunës së Zveçanit, gjatë tensioneve të ngritura pas zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Radenkoviq është dënuar me dy vjet dënim me burgim për sulm ndaj personave zyrtarë dhe dënimi me burgim prej 6 muajsh i është zëvendësuar me 15 mijë euro dënim me gjobën për pjesëmarrje në grupin që kryejnë vepra penale dhe huliganizëm.
Me të filluar seanca e datës 29.04.2026 ndaj të akuzuarit, të pranishmit në sallë janë njoftuar se PSRK dhe i akuzuari kanë arritur marrëveshje për ta pranuar fajin për këto vepra penale.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Bekim Kodraliu, ka thënë se marrëveshja është lidhur në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale duke i rekomanduar gjykatës që për veprën “penale sulm ndaj personit zyrtar” të shqiptojë dënimin dy vite burg kurse për pjesëmarrje në turmë që kryejnë vepër penale dhe huliganizëm, 6 muaj dënim burg t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 15 mijë eurove.
Këtë marrëveshje nuk e kanë kundërshtuar as avokatët e të akuzuarit, duke thënë se marrëveshja është lidhur në përputhje të plotë me dispozitat ligjore.
Marrëveshjen për pranim të fajësisë e ka aprovuar gjyqtarja, Medie Bytyqi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i akuzuari me datë 29.05.2023, në perimetrin e objektit të Komunës së Zveçanit, me shumë të dyshuar të tjerë ka marrë pjesë në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze.
Në aktakuzë thuhet se të dyshuarit, përfshirë edhe i akuzuari kanë përdorur dhunë dhe sulmuar ushtarët e KFOR-it me anë të mjeteve të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit.
Sipas Prokurorisë, nga këto veprime të dyshuarve dhe të akuzuarit, janë lënduar së paku 30 ushtarë të KFOR-it kurse tre prej tyre kanë mbetur të lënduar rëndë.
Lëndime sipas PSRK kanë pësuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Me këto veprime i akuzuari Sllobodan Radenkoviq ka kryer veprën penale sulm ndaj personave zyrtarë.
Radenkoviq tutje akuzohet edhe për pjesëmarrje në turmë që kryenë vepër penale dhe huliganizëm për veprimet si në pikën e parë të aktakuzës pasi kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues së Republikës së Kosovës në komunat veriore edhe pas urdhrave të ushtarëve të KFOR-it që të shpërndahet turma, i pandehuri me të dyshuar të tjerë kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Më 25.05.2023, kryetarët shqiptarë të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut u betuan dhe nisën zyrtarisht punën.
Lulzim Hetemi, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri u betuan si kryetarë të komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, mandate këto të cilave iu kontestua legjitimiteti pas numrit të vogël të votave që ata morën. Shkaku i sigurisë së brishtë, që të tre betimin e kishin dhënë në objekte alternative.
E, pikërisht situata e sigurisë eskaloi kur serbët lokalë dhe grupet kriminale u mobilizuan që t’i pengojnë kryetarët të hyjnë në objektet kryesore të komunave.
I vetmi që arriti të hyjë në komunë ishte Lulzim Hetemi i Lëvizjes Vetëvendosje me ndihmën e policisë, i cili për shtatë muaj nuk doli nga aty.
Ndërsa dy kryetarët tjerë që vijnë nga radhët e PDK-së zgjodhën që mandatin ta kryejnë nga objekte alternative në fshatra shqiptare.
Të pakënaqur me realitetin e ri, serbët protestuan për ditë të tëra, shumica prej të cilave ishin të dhunshme, ku për pasojë u lënduan policë të Kosovës, ushtarë të KFOR-it dhe punonjës të mediave.
Një ushtari hungarez të KFOR-it i është amputuar këmba pas lëndimeve që ka marrë në përleshjet me protestuesit serbë në veri të Kosovës. Më 29.05.2023, gjatë protestave të vazhdueshme të serbëve në komunat veriore, ishin sulmuar dhe kishin pësuar lëndime 30 ushtarë të KFOR-it. Përveç 19 ushtarëve hungarezë, atë ditë në komunën e Zveçanit, ishin lënduar edhe 11 ushtarë italianë. Tre nga ushtarë të Hungarisë ishin plagosur me armë zjarri.