Seanca gjyqësore ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut për akuzën për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi | Foto: Kallxo.com

Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi, vazhdon dëgjimi i dëshmitarit në seancë të mbyllur për publikun

Vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, edhe sot janë sjellë në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat e prokurorisë që rëndojnë ndaj tyre.

Për dallim prej herave të tjera, të akuzuarit do të prezantojnë në gjykatore në mungesë të publikut dhe përfaqësuesve të mediave.

Kjo pasi edhe seanca e cila është paraparë të mbahet sot do jetë me dyer të mbyllura pasi që në cilësinë e dëshmitarit do vazhdoj të jap rrëfimin D. K. dhe një dëshmitar tjetër.

Përjashtimi i publikut dhe mediave ishte bërë pas propozimit të prokurorit, Armend Hamiti, në seancën e 30 nëntorit të vitit 2023.

Arsyeja sipas Hamitit në atë seancë ishte se gjatë dhënies së dëshmisë së dëshmitarit mund të përmenden të dhëna personale dhe familjare.

Se seanca do të vazhdoj me dyer të mbyllur për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë gjyqtarja që është duke trajtuar rastin, Medie Bytyqi.

Biznesmeni Bedri Rexhepi ishte zhdukur që nga 8 prilli vitit 2021 dhe mbetjet e tij ishin zbuluar të dekompozuara në shtator të vitit 2022.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 8 prill të vitit 2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë-Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturë të tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

E me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen e kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t`i lexoni duke klikuar në LINK