Seanca gjyqësore ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut për akuzën për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi | Foto: Kallxo.com

Mbyllet për publikun dëgjimi i njërit dëshmitar në gjykimin ndaj vëllezërve Vllasaliu të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Është mbyllur për publikun gjykimi ndaj dy vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhpi.

Në këtë seancë pritej që të dëgjohej dëshmitari D. K., por që dëshmia e tij me propozimin e prokurorit Armend Hamiti, është mbyllur për publikun me arsyen së gjatë dhënies së dëshmisë  së dëshmitarit mund të përmenden të dhëna personale dhe familjare.

Këtë për KALLXO.com e kanë konfirmuar zyra e gjyqtares së rastit, Media Bytyqi.

Biznesmeni Bedri Rexhepi ishte zhdukur që nga 8 prilli vitit 2021 dhe mbetjet e tij ishin zbuluar të dekompozuara në shtator të vitit 2022.

Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 8 prill të vitit 2021, Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë-Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturë të tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

E me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.

Me këto veprime të njëjtit akuzohen e kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.