Policia e Kosovës, Radar. Foto: KALLXO.com

Voziti 217 km/h në rrugën Pejë - Prishtinë, shoferi gjobitet me 300 euro dhe i ndalohet vozitja për 3 muaj

Policia e Kosovës ka gjobitur një shofer i cili jashtë zonës urbane ka drejtuar automjetin me shpejtësi dy fish më të lart se kufizimi i shpejtësisë në rrugën Pejë-Prishtinë.

Sipas njoftimit të PK-së, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, gjatë realizimit të detyrave dhe kontrollit të trafikut në rrugën Pejë-Prishtinë, në fshatin Kijevë, me anë të laserit për matjen e shpejtësisë kanë identifikuar një automjet, ngasësi i së cilës në këtë segment rruge ku kufizimi i shpejtësisë është 100km/h ka drejtuar mjetin me shpejtësi prej 217km/h.

Ndaj drejtuesit të automjetit, Policia thotë se është shqiptuar gjoba prej 300 euro, tre pikë negative si dhe masa mbrojtëse-ndalimi i drejtimit të automjetit në territorin e Kosovës për tre muaj.

Drejtoria Rajonale e Policisë-Gjakovë u ka bërë thirrje shoferëve të automjeteve që të respektojnë shpejtësinë e lëvizjes dhe rregullat e komunikacionit rrugor dhe të jenë kontribuues në rritjen e sigurisë në rrugë.