Von der Leyen i kërkon Vuçiqit të bëjë të gjitha përpjekjet për kthim në dialog

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se ka folur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga i cili ka kërkuar që të bëjë të gjitha përpjekjet për kthim në dialog.

Ajo ka thënë se me Vuçiqin ka folur për rolin e Serbisë në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

“Fola me presidentin Aleksandar Vuçiq sot për rolin e Serbisë në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. I kërkova që të bëjë të gjitha përpjekjet për të mbështetur kthimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”- ka shkruar Von der Leyen në Twitter.

 

Von der Leyen ka biseduar më herët edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Në një njoftim për media, Zyra e Kryeministrit të Kosovës tha se Kurti njoftoi presidenten e Këshillit Evropian për konfiskimin e armëve në Zveçan, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR dhe Policisë së Kosovës e gazetarëve nga grupe protestuesish.

“Para katër javëve u ushtrua dhunë brutale mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët. Ai shprehu gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna” – thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Kurti një ditë më parë zhvilloi një bisedë telefonike edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.