Vlora Çitaku: Marrëveshja e Uashingtonit nuk është lojë fëmijësh

Ish Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu së marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Uashington është juridikisht e pavlerë.

Çitaku ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës ka ndonjë dilemë sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit atë duhet t’a adresojë përmes kanaleve diplomatike dhe jo në rrjete sociale duke shtuar se zotimet me SHBA-në nuk janë ‘lojë fëmijësh’.

“Për të satën herë: Marrëveshja e Uashingtonit, apo zotimet e Uashingtonit, apo si të doni quani, nuk janë hajgare e lojë fëmijësh. Me aleatët, e posaçërisht me SHBA-të, një qeveri serioze nuk komunikon përmes deklaratave dhe postimeve në rrjetet sociale. Qeveria e Kosovës nëse ka ndonjë dilemë apo pakënaqësi, atë duhet ta adresojë përmes kanaleve diplomatike”, thuhet në postimin e saj.

Çitaku ka rikujtuar  se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken e ka bërë të ditur publikisht se Administrata Biden qëndron fuqishëm pas marrëveshjes së 4 Shtatorit.

Në një deklaratë për media, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte deklaruar në mes tjerash se marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, e nënshkruar nga qeveria Hoti – “nuk ka vlerë dhe natyrë juridike”, duke shtuar se ajo asnjëherë nuk është shkuar në Kuvend për votim.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministri Ramush Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti ta përgënjeshtroj deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë së marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Uashington është juridikisht e pavlerë.

Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?