Vlora Çitaku reagon pas shkarkimit të zyrtarëve të PDK-së nga udhëheqja komunale e Prishtinës

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas shkarkimit të drejtorëve komunalë nga radhët e partisë së saj nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, sidomos pas shkarkimit të nënkryetares së Komunës, Donjeta Sahatçiut.

Çitaku shkarkimin e Sahatçiut po e konsideron si “lojë të ndytë politike” të kryetarit të Prishtinës.

“Donjetë, unë jam krenare me ty. Jam krenare me modelin e angazhimit qytetar e politik qe ti e përfaqëson. Jam krenare që një grua e re si ti ka vendosë me e vu krejt kapitalin njerëzor, intelektual dhe politik ne shërbim të vendit”- ka shkruar Çitaku në Facebook.

“Jam krenare sepse ti je vlere e shtuar për ne si vend. E këto lojërat e ndyta politike janë posaçërisht të rënda për gratë profesioniste e të pakompremetuara. Shkarkimi përmes Facebook është më i lehtë kur mungojnë argumentet”- thekson ajo.

Nënkryetarja e PDK-së thotë se Ramës përgjigjen do ia japin zyrtarisht e “jo në Facebook”.

“Jam krenare që nuk ke pranuar të jesh pjesë e skemave abuzive qoftë me pronat në Badovc, qoftë në procesin e digjitalizimit. Donjetë, je dhe ke me mbetë faqebardhë. Vetëm përpara. E Përparimit përgjigjen e merituar do t’ia japim zyrtarisht. Jo në Facebook”- ka shtuar Çitaku.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës.

Me ketë rast ai ka njoftuar se e ka liruar nga detyra nënkryetaren e Komunës, Donjeta Sahatçiun, e cila vjen nga radhët e PDK-së.

Sahatçiu është liruar edhe nga pozita e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Arsimit.

“Për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit” – ka shkruar Rama në Facebook.

Rama në vend të Sahatçiut ka emëruar si ushtruese të detyrës së nënkryetares dhe drejtoreshës së Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriun nga LDK-ja.

Më tej, kryetari i Prishtinës njoftoi për emërimin e Bekim Brestovcit si drejtor të Shërbimeve Publike, pozitë të cilën e mbante paraprakisht Ilirik Musliu nga PDK-ja

Ilirik Musliu ka qenë drejtor i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

PDK dhe LDK bashkëqeverisin në Prishtinë.

Shefi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Leutrim Retkoceri, e quajti hakmarrje shkarkimin e drejtorit, Ilirk Musliu, pasi kjo parti nuk e mbështeti për këmbim të pronave në Badovc.

Tri seancat e fundit të Kuvendit Komunal janë bojkotuar nga PDK, partner në koalicionin qeverisës me LDK.

PDK pati deklaruar se vetëm kur të ketë transparencë dhe hapësirë për kontribut në hartim të rendit të pikave për diskutim do kthehet në seanca.

Përparim Rama e shkarkon nënkryetaren e Komunës së Prishtinës