Daniel Serwer - Foto: REL

16 vjetori i pavarësisë, Serwer: Kosova është një adoleshente që po piqet shpejt

Profesori në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, Daniel Serwer, në një intervistë për Kallxo.com, ka shprehur pikëpamjet e tij rreth të arriturave, ngecjeve dhe sfidave të Kosovës në 16 vjetorin e shtetësisë së saj.

“Kosova është ende një adoleshente, por që po piqet shpejt”. Kështu e përshkruan me pak fjalë shtetin më të ri në Evropë, në 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së tij, eksperti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer. Në një intervistë për Kallxo.com, ai i veçon përparimet e Kosovës në demokraci, infrastrukturë dhe qëndrueshmëri ekonomike përgjatë periudhës së deritashme të shtetësisë, por i vë në pah edhe sfidat me të cilat po përballet Kosova. Profesori në Universitetin Johns Hopkins në SHBA nuk e fsheh shqetësimin në lidhje me lirinë e shtypit dhe tensionet ndëretnike, sikundër që nuk i kursen kritikat ndaj faktorëve ndërkombëtar për politikat favorizuese në raport me Serbinë. Serwer thotë se Kosova duhet t’i përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në, dhe në të njëjtë kohë “asnjë patriot kosovar nuk duhet të bëjë asgjë që i ngjan krimit ndëretnik”.

KALLXO.com: Sipas mendimit tuaj, çfarë progresi të prekshëm ka bërë Kosova në drejtim të zhvillimit të demokracisë, zhvillimit të infrastrukturës, rritjes ekonomike dhe ndërtimit të institucioneve që nga shpallja e pavarësisë 16 vjet më parë?

Serwer: Kosova është në formë shumë më të mirë në të gjitha këto aspekte sesa ishte 16 vjet më parë. Ajo i ka përmirësuar kredencialet e saj demokratike, ka rindërtuar pjesën më të madhe të infrastrukturës së saj rrugore dhe të komunikimit, është rimëkëmbur ekonomikisht nga pandemia dhe ka marrë shumicën e institucioneve të nevojshme për një shtet modern, edhe pse disa prej tyre ende sfidohen për të performuar në nivele evropiane.

KALLXO.com: Si do t’i karakterizonit përpjekjet e Kosovës për t’u integruar në organizatat ndërkombëtare siç janë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO, që nga pavarësia e saj? Cilat arritje apo pengesa të dukshme kanë ndodhur në këtë drejtim?

Serwer: Është e qartë se integrimi real në OKB, BE dhe NATO nuk është ende i mundur, pasi Kosova nuk është ende anëtare. Por bashkëpunimi me NATO-n është përmirësuar. BE-ja është problematike, pjesërisht për shkak të mosnjohësve. OKB-ja i jep Kosovës mundësinë e rastësishme për t’u përballur me Serbinë, siç bëri javën e kaluar në Këshillin e Sigurimit, por kjo nuk është zëvendësim për anëtarësimin.

KALLXO.com: Sa i përket ndërtimit të demokracisë, çfarë përparimesh konkrete ka arritur Kosova në drejtim të krijimit të institucioneve demokratike, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe garantimit të sundimit të ligjit?

Serwer: Kosova ka pasur probleme në administrimin e zgjedhjeve, por duket se kanë mbetur në të kaluarën. Unë shqetësohem për incidentet e keqtrajtimit të gazetarëve dhe presionin ndaj tyre për t’u konformuar. Unë shqetësohem gjithashtu për krimin dhe mostolerancën ndëretnike, në të gjitha drejtimet, dhe sundimin e ligjit, por rezultatet e sundimit të ligjit në Kosovë në Freedom House dhe gjetkë janë përmirësuar. Asnjë patriot kosovar nuk duhet të bëjë asgjë që i ngjan krimit ndëretnik.

KALLXO.com: Me cilat sfida të vazhdueshme përballet Kosova në konsolidimin e demokracisë së saj dhe cilat veprime të synuara besoni se janë të nevojshme për t’i adresuar këto sfida në mënyrë efektive?

Serwer: Çështja më e madhe është besnikëria e popullatës serbe të Kosovës, veçanërisht në veri. Beogradi po e bën të vështirë, por Prishtina duhet të bëjë më shumë për të arritur dhe për të bindur serbët e Kosovës se interesat e tyre qëndrojnë në euro dhe jo në dinar serb, në institucionet e Kosovës dhe jo në bandat e krimit të organizuar të sponsorizuara nga Beogradi, dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe jo në Ushtrinë Serbe dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

KALLXO.com: A mund të jepni një vlerësim të statusit aktual të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Cilat janë pengesat kryesore që pengojnë përparimin në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme?

Serwer: Dialogu ka ngecur. Ngurrimi i Serbisë për të bërë çdo gjë që i ngjan edhe njohjes de fakto është pengesa kryesore që pengon përparimin. Por sigurisht që ngurrimi i Kosovës për të nënshkruar në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe është gjithashtu një pengesë. Pikëpamja ime personale është se vetëm me njohje formale, de jure është e mundur një Asociacion i tillë. Unë mendoj se Brukseli dhe Uashingtoni duhet të tërhiqen dhe të pranojnë se kanë bërë një gabim për t’i dhënë përparësi Asociacionit.

KALLXO.com: Nga këndvështrimi juaj, si ka ndikuar përfshirja e bashkësisë ndërkombëtare në zhvillimin politik të Kosovës dhe aftësinë e saj për të adresuar sfidat e brendshme dhe të jashtme?

Serwer: Komuniteti ndërkombëtar ka qenë i mirë me Kosovën në të kaluarën. Niveli aktual i zhvillimit demokratik dhe ekonomik nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e huaj. Por si BE ashtu edhe SHBA gjatë dy viteve të fundit, sipas meje, kanë bërë gabime serioze duke qetësuar Serbinë dhe ndëshkuar Kosovën. E kundërta do të ishte më afër politikës së mirë sipas mendimit tim.

KALLXO.com: Duke parë përpara, në cilat prioritete kyçe duhet të fokusohet Kosova për të siguruar stabilitet të vazhdueshëm politik, rritje ekonomike dhe integrim rajonal?

Serwer: Gjëja e vetme më e rëndësishme është fitimi i besimit dhe besnikërisë së serbëve të Kosovës. Me këtë, kërcënimi kryesor i sigurisë së Kosovës do të zhdukej, ekonomia e saj do të përmirësohej dhe integrimi rajonal do të hapej. Por, Kosova gjithashtu duhet të përmirësojë marrëdhëniet e saj me SHBA-në dhe BE-në. Nuk e fajësoj vetëm Prishtinën për mungesën aktuale të besimit të ndërsjellë, por Prishtina duhet të shmangë autogolat me partnerët e saj ndërkombëtarë. Më shumë konsultime mund të ndihmojnë.

KALLXO.com: Si e interpretoni marrëdhënien ndërmjet peizazhit të brendshëm politik të Kosovës dhe efektivitetit të saj në angazhimin me partnerët ndërkombëtarë dhe lundrimin e marrëdhënieve diplomatike?

Serwer: Është e qartë se qeveria aktuale e udhëhequr nga Kurti ka qenë më e suksesshme në skenën politike të brendshme se sa ajo ndërkombëtare. Por kjo është e kuptueshme dhe madje e lavdërueshme. Një qeveri duhet të jetë krenare që kupton dhe përfaqëson interesat reale të popullsisë së saj. Por në të njëjtën kohë ajo duhet të mbajë miqtë e saj si miq.

KALLXO.com: Duke marrë parasysh pozitën strategjike të Kosovës në Ballkanin Perëndimor, çfarë mundësish dhe rreziqesh specifike parashikoni për zhvillimin e saj të ardhshëm dhe integrimin në strukturat euroatlantike?

Serwer: Nuk jam i sigurt se do ta përshkruaja pozicionin e Kosovës në Ballkanin Perëndimor si strategjik. Rreziqet janë të qarta: ato vijnë kryesisht nga Beogradi dhe manipulimi i tij me disa nga serbët e Kosovës, veçanërisht në veri. Por kjo është gjithashtu një mundësi e madhe. Sapo serbët e Kosovës ta shohin Prishtinën si një autoritet legjitim qeverisës (edhe nëse nuk e mbështesin pavarësinë), ndikimi i Beogradit do të bjerë.