Foto: KALLXO.com

Vitia në karantinë, kryetari Haliti kërkon nga Qeveria rishikimin e këtij vendimi

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, edhe njëherë ka shprehur pakënaqësinë e tij me vendimin e Qeverisë, në bazë të të cilit territori i kësaj komune është izoluar.

Kryetari Haliti kërkon që vitiasve t’u lejohet lëvizja e lirë të paktën brenda territorit të komunës.

Sipas tij, është e padrejtë por edhe absurde që qytetarët e komunës së Vitisë të privohen nga e drejta për të qarkulluar lirshëm për nevoja esenciale, për shkak se brenda kufijve administrativë të komunës së Vitisë është edhe komuna e Kllokotit.

“Jemi në situatë vërtetë të çuditshme, sepse në njëfarë mënyre jemi dy herë të izoluar. Qytetarëve të komunës së Vitisë përveçse nuk u lejohet dalja jashtë territorit të komunës, ata ndalohen në punkte policore edhe brendapërbrenda territorit, sepse komuna  e Kllokotit gjendet në mes të territorit të komunës së Vitisë. Kjo po u shkakton problem qytetarëve tanë, sepse ata po kanë vështirësi në qarkullim të lirë për t’u furnizuar me artikuj elementarë ushqimorë. Kërkojmë nga Qeveria që të rishikojë vendimin për ndalimin e qarkullimit të vitiasve jashtë territorit të komunës në mënyrë që atyre t’u lehtësohet lëvizja, në këtë fazë jo të zakonshme në të cilën po kalojmë”, ka thënë Haliti.

Në mesin e masave të Qeverisë së Kosovës për të luftuar coronavirusin është edhe vendimi i cili ndalon hyrjet dhe daljet nga territori i komunës së Vitisë. Kurse fshati Stubëll i Epërm prej nga vijnë shtatë personat e infektuar me COVID-19, tashmë që nga e premtja mbrëma është në karantinë të plotë.

Kujtojmë se deri më tani në vendin tonë janë prekur nga coronavirusi 15 persona, 7 nga ta pikërisht nga komuna e Vitisë.

Konfirmohet rasti i tretë me coronavirus në Kosovë

www.kallxo.com