Foto: Albulena Haxhiu, Facebook

'Vila e Radoiçiqit' - Policia deklaron se nuk është zhvilluar asnjë aktivitet i kundërligjshëm

Policia e Kosovës ka publikuar një sqarim lidhur me disa deklarime lidhur me ‘Villën e Radoiçiqit’ në Mitrovicën e Veriut.

Ky institucion ka thënë se që nga koha e marrjes së objektit në mbikëqyrje për siguri, ka të vendosura njësitë e saja policore të profileve të ndryshme, të cilat kujdesen për sigurinë e objektit dhe hapësirës përreth.

“Objekti sigurohet nga zyrtarët policorë dhe i njëjti vëzhgohet 24 orë nga kamerat, të cilat mbikëqyren nga zyrtarët policorë dhe qendra operative.”- thuhet në sqarimin e Policisë.

Sipas tyre, çdo hyrje apo dalje në objekt, monitorohet nga Policia dhe se këto hyrje apo dalje, bëhen vetëm nga persona që autorizohen, siç janë policët, zyrtarët e mbrojtjes së afërt, zyrtarët institucional dhe vetëm personat që marrin leje të caktuar e se në asnjë rast nuk lejohen persona tjerë apo civilë.

Policia ka thënë se bazuar në procedurat e tyre, mbikëqyrjen e objektit dhe vëzhgimit nga kamerat, nuk është zhvilluar asnjë aktivitet i kundërligjshëm apo çështje që pretendohet nga individë në media.

“Policia e Kosovës, do të vazhdojë të ofrojë siguri në mbarë vendin, përfshirë në objektin në fjalë në Mitrovicë Veri dhe se do të mbajë të informuar drejt mediat dhe qytetarët me qëllim të parandalimit të dezinformimit të qytetarëve dhe njollosjes se personave, zyrtarëve të cilët kujdesen për sigurinë dhe rendin kushtetues.”- përfundon sqarimin Policia.

Millan Radoiçiq ka pranuar zyrtarisht me anë të një letre se ka qenë mbrapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Basnjkë të Komunës së Zveçanit, ku u vra rreshter i policisë Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër zyrtar policor.

Për Milan Radoiçiqin Gjykata ka lëshuar një urdhër ndalues përfundimtar me të cilin pronat mbahen në administrim nga Agjencia deri në përfundim të procedurës ose deri në një vendim tjetër. Vendimi mban numrin pps.nr 43/2023 dhe është vendim që u është dorëzuar vetëm palëve në procedurë.

Vendimi në fjalë i ndalon pasuritë të qarkullohen, të shiten apo të blihen, e po ashtu autorizon Agjencinë për t’i menaxhuar pronat.

Sipas ligjit, Agjencia për menaxhimin e pasurive të sekuestruara gjatë menaxhimi të tyre ka të drejtë që t’i përdorë apo t’i ofrojë në shfrytëzim për palë të treta me qëllim të ruajtjes së vlerës apo mirëmbajtjes së tyre.