Qentë endacakë (Ilustrim)

(Video) Qytetarja sulmohet nga turma e qenve në Prishtinë

Drenusha Bajrami qytetare e Prishtinës ka thënë se është sulmuar mbrëmë para banesës së saj nga qentë endacakë.

Në videon e siguruar nga ajo, shihet se derisa ishte duke ecur në drejtim të banesës sulmohet nga një turmë qensh.

E kontaktuar nga KALLXO.com, ajo ka thënë se sulmi ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00.

Ajo është shprehur shumë e shqetësuar për sigurinë e saj dhe të fëmijës së saj pas ngjarjes së mbrëmshme.

“Rasti ka ndodhur mbrëmë në Lagjen e Muhaxherëve. Pastaj ka dalë burri dhe më ka ndihmuar. Njëri qen më ka kafshuar dhe kam marrë trajtim mjekësor… Po tmerrohem sepse vajza ime është 13-vjeçare, po frikësohem se mund të na mbysin fëmijët”, ka thënë ajo.

Drenusha Bajrami, e cila është zyrtare në Qeverinë e Kosovës, u ka bërë thirrje organeve kompetente që ta marrin seriozisht problemin e qenve endacakë në Prishtinë.

Në Prishtinë qytetarët kanë raportuar se janë sulmuar nga turmat e qenve endacakë.

Për trajtimin e këtyre qenve Komuna e Prishtinës planifikon të ndërtojë një strehimore dhe park në fshatin Slivovë.

Për projektin për strehimoren Komuna ka ndarë 10 hektarë.

Komuna e Prishtinës ndan 10 hektarë për një strehimore dhe park për qentë në fshatin Slivovë