Arrestimi në Gjirokastër | Foto: Policia e Shqipërisë

VIDEO - Gjuajti me armë banesën ku ishin familja e tij, arrestohet 47-vjeçari në Shqipëri

Policia e Shqipërisë ka arrestuar një 47-vjeçar i cili kishte qëlluar me armë gjahu në drejtim të banesës ku ishin familjarët e tij, në Gjirokastër.

Përmes kësaj, policia thotë se ka parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti familjar, që mund të kishte pasoja të rënda për jetën.

Gjuajtja me armë nga L.S. thuhet se është bërë për motive të dobëta, mirëpo ka rezultuar pa të dëmtuar.

“Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 09:15 të mëngjesit të sotëm, për motive të dobëta, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në drejtim të banesës ku ishin familjarët e tij, në zonën e quajtur “Ura e lumit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër organizuan punën dhe mbërritën në vendin e ngjarjes, për të arrestuar shtetasin përgjegjës” – thuhet në njoftim.

Policia ka sekuestruar armën e gjahut me të cilën ka qëlluar i dyshuari.