VIDEO - Gjendet një mjet i dyshimtë nën një veturë në Leposaviq, Sveçla akuzon Serbinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka akuzuar Serbinë për një mjet të dyshimtë i cili është gjetur sot nga Policia e Kosovës dhe është larguar me ndihmën e KFOR-it, nën një veturë në Leposaviq.

“Kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha. Tani, shteti ligjor është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës sonë” – ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka thënë se kur Serbia humb betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftënxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm.

Sipas tij, tendenca për të kontrolluar serbët e Kosovës po vazhdon, por çdo ditë me më pak sukses, e zërat kundërshtarë nga ky komunitet po shtohen çdo ditë, “për të çliruar qytetarët nga gangsterët”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka njoftuar se me kërkesë të Policisë së Kosovës, ka asistuar largimin e sigurt të këtij mjeti dyshimtë por të pashpërthyer.

“Pas një kërkese të Policisë së Kosovës, në vendngjarje ka intervenuar me shpejtësi një ekip për asgjësimin e mjeteve shpërthyese (EOD) nga Komanda Rajonale në Lindje e misionit të KFOR-it” – thotë KFOR.

Përgjigja e përbashkët, sipas KFOR-it thekson bashkëpunimin e fortë mes tyre.