Veseli: PDK pro pezullimit të tarifës edhe si opozitë

 

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën e jashtëzakonshme, e cila po mbahet sot ka deklaruar se ai dhe partia e tij janë për pezullimin e tarifës ndaj Serbisë.

“Qeveria e kaluar ka rënë nga taksa, edhe kjo Qeveri mund të bjerë nga taksa.  PDK ka qenë për pezullim të taksës, jemi edhe tash për pezullim. Si në pozitë si në opozitë, shteti për mua është njësoj.  Ditëve të fundit po shohim skena për heqjen e taksës nga koalicioni. Njëra palë kërkon heqje të plotë të taksës, e tjetra të pjesshme. S’po iu marrë vesh”, ka thënë Veseli.

Veseli tutje ka thënë se kryeministri Kurti paraqet rrezik për qytetarët dhe për shtetësinë e Kosovës.

“Albin Kurti paraqet rrezik për shtetin tonë, për popullin tonë dhe për shtetin e pavarur. Nuk duhesh me fol kryeministër si me qenë nëpunës doganor, ato që i the në foltore janë fjalë të një nëpunësi doganor. As ty kryeministër as askujt në këtë sallë nuk ia mohoj patriotizmin por kanë ndërruar senet, Duhet me u nda sa më shpejt me Serbinë. Asnjëra parti nuk e ka përkrahur propozimin tim, përveç PDK. Prej atëherë Kosova ka humbur shumëçka”, ka shtuar Veseli.

Kuvendi i Kosovës sot është duke mbajtur seancë të jashtëzakonshme në lidhje me heqjen e tarifës 100% ndaj produkteve serbe.

AAK ka mbledhur 41 nënshkrime nga deputetët opozitarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premtën tha se pas konsultës me institucione të ndryshme, ka ardhur në përfundim që nga 15 marsit të hiqet tarifa 100 për qind ndaj lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se njoftimi nga kryeministri Albin Kurti për heqjen e shkallëzuar të tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk është i mjaftueshëm për administratën amerikane.

Në një postim në Tëitter, Grenell ka thënë se nuk e mbështesin gjysmë-masën e kryeministrit Kurti.

“Nuk e mbështesim gjysmë-masën e Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është mjaft i qartë: tarifa duhet të hiqet tërësisht. Z. Kurti po bën një gabim të rëndë- dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Richard Grenell.

Dje, Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga deputetët të përkrahin nismën e kryeministrit Kurti për heqjen e tarifës ndaj Serbisë.

Mustafa përmes një publikimi në Facebook ka thënë se LDK do ta mbështesë heqjen e saj për shkak se mendon se është në të mirë të Kosovës dhe jo sepse po e kërkon Amerika.

Ai më tej ka shkruar se derisa Kosova ka vendosur tarifë për shtetin serb, Serbia po sillet si viktimë në arenën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka përkrahur Isa Mustafën në kërkesën e tij për heqjen e menjëhershme të tarifës.

Ai përmes një publikimi në Tëitter ka thënë se heqja e tarifës do të ishte një nismë e shkëlqyer për përparim ekonomik të Kosovës.

“Nismë shumë e mirë. Isa Mustafa është një udhëheqës i guximshëm. Heqja e tarifës nesër një fillim i shkëlqyeshëm për më shumë përparim dhe do të lëvizte shpejt. Por zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara derisa tarifat të mos hiqen”, ka shkruar Grenell.