Veseli në Burger King me Matthew Whitaker

Kandidati për kryeministër të vendit nga PDK, Kadri Veseli, ka postuar fotografi në Facebook me Matthew Whitaker, i cili është ish kreu i Drejtësisë i administratës së presidentit Donald Trump.

“Me mikun tim, Matt Whitaker, u ndalëm për të ngrënë në Burger King, që ta shijojmë ushqimin amerikan edhe te ne. Kjo copëz e vogël e Amerikës në Kosovë është bërë një prej ndalesave të mia më të preferuara”, ka shkruar Veseli.

Përmes një njoftimit, PDK ka njoftuar se Whitaker ka ardhur në Kosovë për mbështetjen e Kadri Veselit.

“Njëri ndër njerëzit e besueshëm të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Matthew Whitaker, i cili për katër muaj kishte shërbyer si Ministër i Drejtësisë në Administratën e Presidentit të SHBA-së, tashmë ka arritur në Kosovë. Whitaker kishte zëvendësuar kryeprokurorin Jeff Sessions, ku me vite kishte punuar si shef i stafit të tij”, thuhej në njoftimin e PDK-së.

PDK ka njoftuar sot se Whitaker në Kosovë ka ardhur për të mbështetur liderin e PDK-së, Kadri Veselin, në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e partneritetit me Amerikën.

“Matthew Whitaker është i zëshëm në mbështetje të iniciativës së presidentit Donald Trump për luftën globale kundër korrupsionit. Edhe pas daljes nga Administrata Trump, Matthew Whitaker, pothuajse çdo ditë paraqitet nëpër mediat amerikane duke mbrojtur presidentin Trump”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Pas këtyre deklaratave, ka reaguar ambasada e SHBA-ve të cilët kanë thënë që kjo ambasadë nuk mbështet ndonjë kandidat.

“Qeveria e SHBA-ve nuk parapëlqen dhe nuk mbështetë ndonjë parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e kësaj jave. Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuesve të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”, thuhet në reagimin e ambasadës.