Vërshimet në Skenderaj, 19 janar 2023

Vërshimet në Kosovë, rritet gatishmëria shtetërore

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka ngritur gatishmërinë shtetërore pas situatës me vëshimet e sotme.

Përmes një komunikate MPB ka njoftuar se Agjencia për Menaxhimin Emergjent në koordinim me Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës ka marrë të gjitha masat e nevojshme duke ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha komunat.

Tutje është thënë se aktualisht Ministria është mobilizuar me të gjitha kapacitetet e saj, përfshirë AME-në me të gjitha njësitë e zjarrfikësve dhe Policinë, të cilët do të jenë në shërbim të qytetarëve 24 orë.

“Ministria e Punëve të Brendshme është në komunikim dhe koordinim me të gjitha ministritë tjera, për marrjen e të gjitha masave për përballimin sa më të lehtë të situates” – thuhet në komunikatë.

MPB u ka apeluar qytetarëve që jetojnë në zona ku ka përmbytje që të kenë kujdes të shtuar dhe të komunikojnë me autorietet shtetërore që t’u vijnë në ndihmë.

“Qendrat Operative Emergjente janë aktivizuar në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe për çdo urgjencë duhet të kontaktojnë në numrin emergjent 112” – thekson MPB.

Tutje në komunikatë është thënë se një raport i detajuar për situatën e krijuar nga vërshimet në vend do të publikohet ndërkohë.

Foto: Ministria e Punëve të Brendshme
Foto: Ministria e Punëve të Brendshme