Konjufca: Jemi duke u përgatitur për sulme të mundshme të ardhshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se kanë informacione për grupe të cilat mund ta sulmojnë Kosovën në të ardhmen.

Konjufca tha që institucionet e sigurisë në Kosovë vazhdimisht janë duke u përgatitur që një gjë e tillë të mos ndodhë.

“Ne nuk kemi kohë t`i dëgjojmë premtimet e kota të Vuçiq se është paqësor. Ne jemi duke u përgatitur si Republikë dhe si Polici e Kosovës për sulme të mundshme të ardhshme. Ministri i Punëve të Brendshme (Xhela Sveçla), dje tha që kanë informata dhe nga inteligjenca që grupe po ushtrojnë atje, tjera që mund ta sulmojnë Kosovën”- tha Konjufca.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm terrorist.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mirëpo autoritetet në Kosovë kanë theksuar se prapa këtij sulmi janë institucionet e Serbisë.