Liburn Aliu

Liburn Aliu

Ministri Aliu thotë se po punojnë në planet e menaxhimit të rreziqeve nga vërshimet

Ministri i Mjedisit, Liburin Aliu tha sot se janë duke punuar në planet e menaxhimit të rreziqeve nga vërshimet dhe janë duke e bërë një hartë të rreziqeve.

“Vërshimet janë problem në rritje, që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike. Jemi duke u marrë jashtëzakonisht seriozisht me këtë çështje” – tha Aliu në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Aliu tha se adaptimi me ndryshimet klimatike është i vështirë dhe se do të ketë thatësira dhe vërshime gjithnjë e më tepër.

Këtë Ministri Aliu e tha pasi u pyet nga deputetja e Vetëvendosjes, Jetmire Vrenezi se kur planifikohet të rregullohen muret anësore të lumit Trepça në mënyrë që të mos ketë dalje të ujit nga shtrati.

“Ministria duhet të bazohet në planet e menaxhimit të pellgut lumor Ibër. Nëse komuna e Mitrovicës në ndërkohë parashtron kërkesë për nevoja të rregullimit të shtratit të lumit Trepça, atëherë do ta mbështesim financiarisht si ministri, sipas nevojave të parapara nga komuna” – u përgjigj Ministri i Mjedisit.

“Deri tash projektet që janë bërë, janë bërë me kërkesë prej komunave. Nuk ka pas një hartë të tillë, tash jemi duke e bërë” – shtoi Aliu.

Projektet e bëra deri më tani për shtretërit e lumenjve, Liburn Aliu tha se kanë qenë të shumta, por shtoi se ato nuk bëhen me beton. Sipas tij, një rast i tillë është në Drenas, i cili tha se nuk menaxhon çështjen e vërshimeve.

Për vitin 2024, Aliu tha se janë janë paraparë 1 milion euro për mirëmbajtjen, pastrimin dhe rregullimin e lumenjve.

Qytete të ndryshme të Kosovës janë vërshuar gjatë këtij viti, pas reshjeve të shiut. Në qershor, një fëmijë 5-vjeçar dhe e ëma e tij vdiqën në Pejë, si pasojë e vërshimeve.