MBP dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Ministri Xhelal Sveçla, së bashku me rektorin e UP-së, Qerim Qerimi, sot nënshkruan këtë marrëveshje, e cila do të ofrojë ekspertizë profesionale dhe akademike për hartimin e fondit të pyetjeve që shërbejnë për vlerësimin e njohurive dhe cilësive profesionale të kandidatëve të cilët u nënshtrohen procedurave rekrutuese në shërbimin civil të Republikës së Kosovës.

“Po ashtu, si pjesë e kësaj marrëveshje, Ministria e Punëve të Brendshme do t’i hapë dyert për 600 studentë të Universitetit të Prishtinës për t’u ofruar mundësinë e një praktike profesionale” – thuhet në njoftim.

Tutje u tregua se studentët e profileve të ndryshme për tre muaj do të kenë mundësi të fitojnë përvojë brenda Ministrisë dhe agjencive që ajo mbulon dhe në fund të praktikës të certifikohen për përfundimin me sukses të punës profesionale.