Uji brenda shkollës “Shaban Idrizi” në Zhabar të Mitrovicës, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Era i dëmtoi kulmin, shiu depërtoi brenda shkollës në Zhabar të Mitrovicës - VIDEO

Dëmtimi i kulmit nga erërat e forta që ndodhën në fundjavë ka bërë që të mërkurën të depërtojë shiu brenda shkollës “Shaban Idrizi” në Zhabar të Mitrovicës. Mësimi është pezulluar deri në vendimin e radhës të institucioneve.

KALLXO.com ka parë nga afër gjendjen e shkollës pas vërshimit të ujit.

Drejtoresha e shkollës, Saranda Ademi ka folur për KALLXO.com, në lidhje me situatën në shkollë.

“Sot (e mërkurë) në mëngjes erdhëm në shkollë edhe e pamë gjendjen në të cilën ishte shkolla. Gjatë tërë natës ka rënë shiu dhe është mbulu me ujë pothuajse një pjesë e shkollës komplet. Prej klasës parashkollorë, zyret lart që i kemi, me bibiliotekë e të gjitha”- ka thënë ajo.

Tutje drejtoresha thotë se ndihet shumë e shqetësuar për gjendjen në të cilat ndodhet shkolla dhe pret nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Mitrovicës të ndërmarrë masa.

“Pres që të bëjë një meretim të gjitha anët e shkollës. Sepse shkolla ka dëmtime shumë të mëdha. Instalimin e rrymës në të gjitha anët sepse është duke pikur prej shiut. Kështu që duhet që të bëhet një meremetim, një rregullim i gjithanshëm i krejt objektit”-pohoi drejtoresha.

KALLXO.com ka raportuar edhe dëmet në shkollë nga erërat e forta. Ademi pati konfirmuar se mësimi pritej të fillonte javën e ardhshme.

Mirëpo pas dëmeve që ndodhen të mërkurën, drejtoresha tha se është e pamundur që mësimi të fillojë në këto kushte.

“Kemi qenë në pritje, t’u besu që përfundon kulmi në fund të javës pastaj veç me fillu. Tash ndryshon gjithçka. Gjendja është më e rënduar. Është shumë humbje e madhe, duhet bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, me komunën që me fillu mësimi menjëherë. Qoftë në shkollë tjetër, duhet të gjejmë alternativa të tjera”- ka thënë ajo.

Drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu ka thënë për KALLXO.com se dita kur fëmijët do të fillojnë mësimin fizikisht vendoset të dielën.

“Na kemi mbajt takim me këshillin e arsimtarëve sot dhe kemi vendos që nesër dhe pasnesër arsimtarët me punu online përderisa ata mjeshtrit që janë duke trajtu kulmin me na njoftu për këto dy ditë se sa munden me evitu problemin në mënyrë që të dielën na me pas një informacion të fundit që me marr vendim për të hënën”-ka thënë ajo.

Ajo shtoi se nëse nuk kryhen deri të të dielën, do të ndërtojmë një qëndrim tjetër për të hënën.

Shkolla është ndërtuar në vitin 2008.