Presidenti Trump e ka përfunduar të premten (15.05.2026) vizitën dyditore në Pekin. Foto: Shtëpia e Bardhë

Trump largohet nga Pekini me pak fitore, por me fjalë të ngrohta për Xinë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është larguar të premten (15.05.2026) nga Kina pa ndonjë përparim të madh në tregti, a ndihmë të prekshme nga Pekini që t’i jepet fund luftës me Iranin, pavarësisht dy ditëve të kaluara duke lëvduar mikpritësin e tij, Xi Jinping, raporton Reuters.

Vizita e presidentit Trump te rivali kryesor strategjik e ekonomik i Amerikës, e para nga një president i SHBA-së që nga udhëtimi i tij i fundit më 2017, synonte rezultate të prekshme për të rritur rejtingun e tij të ulët popullor para zgjedhjeve të mesmandatit.

Samiti u shënjua me shfaqje madhështore nga ushtarë të gardës së nderit deri te vizitat në një kopsht sekret, por pas dyerve të mbyllura. Xi e ka paralajmëruar ashpër Trumpin se çdo keqtrajtim i shqetësimit kryesor të Kinës, Tajvanit, mund të shndërrohet në konflikt.

Gjatë një takimi me gazetarët në rrugën e kthimit për SHBA, Trump ka thënë se Xi i ka thënë se kundërshton pavarësinë e Tajvanit.

“E dëgjova me vëmendje. Nuk bëra asnjë koment… Nuk mora asnjë angazhim në asnjë mënyrë”, ka deklaruar Trump.

Këto ishin komentet e para pas dy ditësh në Pekin, gjatë të cilave Trump ishte jashtëzakonisht i përmbajtur, me komentet të papritura të përqendruara kryesisht në vlerësimin e mikpritjes dhe staturës së Xisë.

“Ka qenë një vizitë e jashtëzakonshme. Mendoj se kemi nxjerrë gjëra shumë të mira prej saj”, i është drejtuar Trump Xisë në takimin e fundit në kompleksin Zhongnanhai, ish-kopsht perandorak, para drekës së tyre me qofte karavidhesh dhe pulë “kung pao”.

Ndërsa Trump po mundohej për fitore të menjëhershme në biznes, siç është ujdia për shitjen e avionëve Boeing që nuk u bëri përshtypje investitorëve, Xi ka folur për rivendosje afatgjate dhe për një pakt për ruajtjen e lidhjeve të qëndrueshme tregtare me Uashingtonin, duke nënvizuar përparësitë e ndryshme.

Xi e shtyu përpara termin e ri për të përshkruar marrëdhënien si “stabilitet strategjik konstruktiv” – një distancim i spikatur nga përkufizimi i “konkurrencës strategjike” i përdorur nga ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, të cilin Pekini nuk e pëlqente.

“Deri më tani, Kina nuk ka propozuar alternativë – tani e kanë bërë – nëse pala amerikane është dakord, ky është përparim”, ka theksuar Da Wei, drejtor i Qendrës për Siguri dhe Strategji Ndërkombëtare në Universitetin Tsinghua në Pekin.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com