Ilustrim

Tri raste të dhunës në familje në rajonin e Prishtinës

Policia e Kosovës njoftoi në raportin 24-orësh për tri raste të dhunës në familje, në rajonin e Prishtinës.

Në rastin e parë, që dyshohet se ka ndodhur të enjten në kryeqytet, thuhet se një person është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj vajzës së tij.

“Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” – thuhet në njoftim.

Në të njëjtën ditë, policia njoftoi se një rast tjetër i dhunës në familje ndodhi në Prishtinë.

“Ankuesja f/k ka informuar se pas një mosmarrëveshje, burri i saj  m/k, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje” – thuhet në njoftim.

Ndërsa, të premten, një grua njoftoi policinë se është sulmuar nga një person, me të cilin ka bashkëjetuar.

Rasti, sipas forcave të rendit, ka ndodhur në Graçanicë.

“Viktima f/k ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari m/k me te cilin është duke bashkëjetuar. Si pasojë e sulmit fizik, viktima ka marrë tretman mjekësor dhe e njëjta është dërguar te familjarët e saj” – njofton policia.

Lidhur me rastin  është arrestuar i dyshuari i lartcekur dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në mbajtje.