Transportuesit e mallrave vazhdojnë të paguajnë taksën në Han të Elezit, kompania padit Ministrinë

Transportuesit e mallrave që hyjnë tranzit në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Elezit po vazhdojnë të paguajnë një taksë në vlerë deri 40 euro, ndonëse të hënën, më 7 shkurt, Ministria që udhëhiqet nga Liburn Aliu u lavdërua se me asistencën e forcave të rendit kanë larguar barrierat e rrjedhimisht lirimin nga kjo taksë.

Në pjesën ku intervenuan autoritetet shtetërore transportuesit thonë se nuk kishin paguar asnjëherë.

Prona nëpër të cilën transportuesit e mallrave kalojnë tranzit e privatizoi kompania “Terminali” Sh.P.K. në vitin 2010 nga AKP-ja. Në vitin 2014, pushteti i atëhershëm kishte krijuar një rrugë alternative në skaj të terminalit doganor që vozitësit të kalojnë pa pagesë e që të shkojnë më pas për zhdoganim të mallit në cilindo terminal doganor që duan.

Kompania e kishte paditur asokohe Ministrinë e Infrastrukturës për largimin e barrierave dhe krijimin e kësaj rruge të re.  Lëndën e kishin fituar në tri instanca gjyqësore dhe rrethojat u kthyen më 21 tetor 2021. Pra, që nga ajo kohë, “Terminali” vazhdon të vjelë taksën 40 euro.

Së fundmi, më 7 shkurt 2022, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se i kanë larguar barrierat metalike që ishin të vendosura në terminalin doganor në Han të Elezit. Rrjedhimisht, sipas tyre, transportuesit e mallrave nuk do të paguajnë më 40 euro.

“Pas ankesave të shumta nga agjentët doganor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, përkitazi Doganën e Kosovës, kanë inicuar kërkesën për zhbllokimin e rrugës nga rrethojat metalike të vendosura në rrugën e cila është pronë shoqërore, nën menaxhimin e AKP-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Por menjëherë pas lajmërimit të Ministrisë, transportuesit e mallrave raportuan në KALLXO.com se situata po vazhdon e njëjtë atje.

S.M. thotë se barrierat janë larguar vetëm në pjesën kur del nga shteti i Kosovës dhe jo në atë pjesë ku kanë qenë duke paguar, pra në hyrje të Kosovës.

“Barrierat që janë hekur janë në pjesën ku del nga Republika e Kosovës. Në atë pjesë edhe me herët nuk është paguar, kurse në pjesën ku hyn në Kosovë, nuk janë hjekur rrethojat dhe ende vlen e njejta situatë. Paguhet njëjtë 40 euro”, u shpreh ai.

Po ashtu edhe nga kompania “Terminali” kanë konfirmuar se kamionët vazhdojnë t’i nënshtrohen pagesës sikurse gjithmonë.

Lidhur më këtë çështje, KALLXO.com është në pritje të një përgjigje nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës.

“Terminali” ushtron kallëzim penal ndaj Ministrisë

Kompania “Terminali” ka deklaruar se kanë parashtruar kallëzim penal ndaj Ministrisë së Infrastrukturës për ndërhyrjen që bënë më 7 shkurt në pronën që posedojnë.

Nga kjo kompani thonë për KALLXO.com se me largimin e rrethojave institucionet shkelën vendimin e Gjykatës. Ata pretendojnë se e kanë fituar rastin në tri instanca gjyqësore.

Sepse në vitin 2014 kishin paditur Ministrinë për pengim në posedimin e pronës të cilën e kishin privatizuar. Sipas padisë, të cilën KALLXO.com e posedon, ky institucion kishte larguar barrierat dhe i kishe marrë në posedim me dhunë atë pjesë të rrethojave, për zgjerim të rrugës pa pëlqimin e ndërmarrjes.

“Kemi parashtruar kallëzimin penal ndaj Ministrisë së Infrastrukturës. Pika e parë, është që personat që kanë qenë prezentë për me hjekë rrethojën, as nuk janë legjitimu, as njoftu se kush janë, s’kemi pasur as njoftim që ka me ardhur policia me i hjekë rrethojat, kemi pasë paralajmeru njoftim prej AKP-së që duhet me i hjekë rrethojat. AKP-në e kemi njoftu që e kemi fitu lëndën në gjyq. Ata veç janë çu edhe janë ardhë. Nuk është normale. Me polici me ardhë me shkel vendimin e gjyqit”, thonë nga kompania.

“Problemi është që Ministria nuk po i bënë nder askujt, e as transporteve, se ai ka me pagu kudo. Ne kemi qëllu në pikë kufitare. Neve shteti na e ka shitur për terminal, e kemi ble për terminal edhe sot me u çel një terminal i brendshëm edhe aty duhet me ja çelë një rrugë për kamiona. Gjithkund është pagesa e njëjtë. Jemi maltretuar çdo ditë nga kjo punë. Ministria kish shkru “pronarët i kanë qitë rrethojat”. Nuk i kemi qitë na, i ka qitë gjykata. Tash po presin që na me hjek dorë prej një sendi që e kemi”, thonë tutje.

Por, si u privatizua prona në afërsi të pikës kufitare?

Në prill të vitit 2010, prona qe gjendet në afërsi të degës doganore në Han të Elezit është privatizuar nga “Terminali” Sh.p.k. Aty kishte qenë më parë një fabrikë.

KALLXO.com ka siguruar një padi të cilën ndërmarrja e ka bërë kundër Ministrisë, në të cilën përshkruhet se prona ishte privatizuar në vitin 2010, në valën e 40 të privatizimeve.

Gjatë posedimit të kësaj prone, sipas dokumenteve që KALLXO.com posedon, kishte lindur një kontest në mes të privatizuesit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

“Terminali” Sh.P.K. në vitin 2014 kishte paditur Ministrinë për pengim në posedimin e pronës të cilën e kishte privatizuar.

Në këtë padi përshkruhej se Ministria e Infrastrukturës pa përfillur rregulla i kishte larguar barrierat dhe i kishe marrë në posedim me dhunë atë pjesë të rrethojave, për zgjerim të rrugës pa pëlqimin e ndërmarrjes.

Gjykata e Ferizajt i kishte dhënë të drejtë ndërmarrjes dhe kishte konstatuar se Ministria e kishte penguar paditësin në posedimin e pronës së tij. Me këtë vendim, e kishte urdhëruar Ministrisë që ta kthente gjendjen sikurse ka qenë.

Vendimi i tillë ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila i kishte refuzuar ankesat e institucionit publik. Lidhur me këtë çështje kishte vendosur edhe Gjykata Supreme.

Instanca më e lartë gjyqësore në vend e kishte hedhur si të palejuar revizionin (kundërshtimet e Ministrisë), me konstatime se në këto çështje nuk lejohet ushtrimi i këtij mjeti juridik.

Pasi kishin vendosur të tri instancat gjyqësore, ndërmarrja kishte kërkuar zbatimin e vendimeve. Me ç’rast përmbaruesi privat më 13 tetor 2021 e urdhëroi  Ministrinë që t’i zbatojë vendimet e gjyqësore.

Transportuesit ishin ankuar në KALLXO.com për detyrimin e pagimit të kësaj takse.

Sepse deri në atë kohë, transportuesit e mallrave kanë kaluar në një rrugë alternative në skaj të terminalit doganor për kalim tranzit të cilën e kishte krijuar Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014. Kësisoj, vozitësit ishin të lirë të kalojnë pa pagesë e që të shkojnë më pas për zhdoganim të mallit në cilindo terminal doganor që duan.

KALLXO.com gjatë vizitës te terminali doganor në tetor të vitit 2021 ka biseduar edhe me menaxherin e “Terminalit”, Alben Dogani.

Dogani kishte thënë se prona është private dhe se Ministria kishte tentuar që ta kthejë në pronë publike, pa e shpronësuar.

“Pas luftës, ky terminal ka qenë publik, ish-fabrikë është shndërruar në terminal doganor. Edhe krejt kamionët kanë kalu detyrimisht se s’ka pas rrugë tjetër, kanë kalu në terminal dhe kanë paguar edhe për tranzitin që kanë kalu, njëjtë pagujnë edhe sot. Kanë paguar 30 euro tranzit, edhe kanë shkuar nëse kanë dashtë me u zhdoganu nëpër terminale tjera, kanë zgjedhë, kanë pasë të drejtë pasi ka të tjera”, tha ai.

Tutje kishte thënë se pasi Ministria nuk kishte respektuar thirrjet që ta kthejë parcelën në gjendjen e mëparshme, janë obliguar që përmes përmbaruesit privat dhe policisë të ndërhyjnë.

Sipas tij, ankesat e kompanive nuk kanë të bëjnë me taksën për terminalin, pasi që e njëjta taksë paguhet në të gjitha terminalet, përfshirë edhe ato në brendi të Kosovës.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati ishte përgjigjur për KALLXO.com se janë në dijeni për këtë rast dhe akuzoi qeverisjet e kaluara për “privatizimin e pikave kufitare”.

“Kemi rastin pra, qeverisjet e kaluara, kanë privatizuar edhe pikat kufitare pra terminalin që është në kufi. E më të e kanë privatizu edhe rrugën. E tash normal që operatori ekonomik padit shtetin dhe kërkon që rruga më i mbet atij. Ne si shtet, si qeveri, kemi dëshmu qe jemi të përkushtuar që të ketë terminale shtetërore anekënd vendin, në mënyrë që shteti të ofrojë këtë shërbim edhe me ketë rast do të merremi, dhe jemi duke bashkuar me ministrin Aliu”, u shpreh ministri më 28 tetor 2021.

Kamionët që hynë në Kosovë në pikën kufitare ‘Hanit i Elezit’ ankohen për taksën, përfaqësuesi i terminalit thotë se po e respektojnë ligjin