Nënshkruhet kontrata 25 milionëshe për përfundimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se kanë nënshkruar sot kontratën për zgjerimin dhe përfundimin e rrugës që lidh Prishtinën me Mitrovicën.

Aliu tha se kjo kontratë përfshin segmentin nga fshati Lumadh deri në rrethin e njohur si ‘Rrethi i Gojbulës’ në Vushtrri me gjatësi 9.78 kilometra.

“Sapo nënshkruam sot kontratën për zgjerimin dhe përfunimin e rrugës që lidh Prishtinën me Mitrovicën. Ky projekt ka qenë temë diskutimi me probleme të shumta. Ky është një ndër projektet më të tejzgjatura në historinë e pasluftës” – tha ai.

Zëvendesministri, Hysen Durmishi, tha se kompania fituese e ka për obligim në kontratë që brenda një viti që nga sot, duhet ta dorëzoj punishten të përfunduar.

“Janë 12 muaj, ditë kalendarike dhe jo ditë pune”- tha Durmishi.

Durmishi tha se janë në negociata me fondin OPEX që të financohet edhe pjesa tjetër e segmentit që nis nga fshti Smrekonicë e deri në Mitrovicë. Durmishi tha se ky segment nuk ka qenë pjesë e kontratës dhe të huamarrjeve.

Ministri Aliu tha se kompanitë që e kanë fitu janë konzorcium në mes kompanisë “Eskavatori L.L.C” dhe “Hidrostroi” nga Sofje.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) pati njoftuar vitin e kaluar për shkëputjen e kontratës me kontraktorin “Pevlaku & Patishta” që ishte angazhaur në zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.

Sipas MMPHI-së, shkëputja u bë duke u bazuar në raportin e auditorit dhe se edhe pas shumë takimeve me kontraktorin për të gjetur zgjidhje në tejkalim të sfidave, kontraktori “Pevlaku & Patishta” nuk ka përmbushur obligimet e përcaktuara për të cilat ishin dakorduar më 23 nëntor 2021 dhe nënshkruar më 23 dhjetor 2021.

MMPHI sqaron shkëputjen e kontratës për zgjerim të rrugës Prishtinë-Mitrovicë