Ministria i largon barrierat te terminali doganor në Han të Elezit

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se i kanë larguar barrierat metalike që ishin të vendosura në terminalin doganor në Han të Elezit.

KALLXO.com ka raportuar më 28 tetor 2021 se kamionët që hyjnë tranzit në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Elezit po obligohen që të paguajnë një taksë në vlerë deri 40 euro pasi që prona në të cilin ishin vendosur barrierat është e privatizuar.

Nga kompania “Terminali” Sh.P.K. asokohe deklaruan se për rikthimin e barrierave kishin fituar gjyqin kundër Ministrisë së Infrastrukturës.

Ministria që udhëhiqet nga Liburn Aliu sot ka deklaruar se me asistencën e Policisë së Kosovës e kanë zhbllokuar këtë rrugë.

Rrjedhimisht, sipas tyre, transportuesit e mallrave nuk do të paguajnë më 40 euro.

“Pas ankesave të shumta nga agjentët doganor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, përkitazi Doganën e Kosovës, kanë inicuar kërkesën për zhbllokimin e rrugës nga rrethojat metalike të vendosura në rrugën e cila është pronë shoqërore, nën menaxhimin e AKP-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

KALLXO.com në tetor të vitit të kaluar raportoi se si asokohe transportuesit e mallrave kanë kaluar në një rrugë alternative përskaj terminalit doganor për kalim tranzit të cilën e kishte krijuar Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014. Kësisoj, vozitësit ishin të lirë të kalojnë pa pagesë e që të shkojnë më pas për zhdoganim të mallit në cilindo terminal doganor që duan.

Prona në të cilën kjo rrugë alternative është krijuar është në pronësi të biznesit “Terminali” Sh.p.k. Këta të fundit e kishin paditur menjëherë Ministrinë e Infrastrukturës për largimin e barrierave dhe krijimin e kësaj rruge të re. Nga kompania thonë se rastin e kanë fituar në tri gjykata. Por, më 21 tetor 2021, barrierat u rikthyen.

Në prill të vitit 2010, prona qe gjendet në afërsi të degës doganore në Han të Elezit, është privatizuar nga “Terminali” Sh.p.k. Aty kishte qenë më parë një fabrikë.

KALLXO.com ka siguruar një padi të cilën ndërmarrja e ka bërë kundër Ministrisë, në të cilën përshkruhet se prona ishte privatizuar në vitin 2010, në valën e 40-të të privatizimeve.

Gjatë posedimit të kësaj prone, sipas dokumenteve që KALLXO.com posedon, kishte lindur një kontest në mes të privatizuesit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

“Terminali” Sh.p.k. në vitin 2014 kishte paditur Ministrinë për pengim në posedimin e pronës të cilën e kishte privatizuar.

Në këtë padi përshkruhej se Ministria e Infrastrukturës pa përfillur rregulla i kishte larguar barrierat dhe i kishe marrë në posedim me dhunë atë pjesë të rrethojave, për zgjerim të rrugës pa pëlqimin e ndërmarrjes.

Gjykata e Ferizajt i kishte dhënë të drejtë ndërmarrjes dhe kishte konstatuar se Ministria e kishte penguar paditësin në posedimin e pronës së tij. Me këtë vendim, e kishte urdhëruar Ministrinë që ta kthente gjendjen sikurse ka qenë.

Vendimi i tillë ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila i kishte refuzuar ankesat e institucionit publik. Lidhur me këtë çështje kishte vendosur edhe Gjykata Supreme.

Instanca më e lartë gjyqësore në vend e kishte hedhur si të palejuar revizionin (kundërshtimet e Ministrisë), me konstatime se në këto çështje nuk lejohet ushtrimi i këtij mjeti juridik.

Pasi kishin vendosur të tri instancat gjyqësore, ndërmarrja kishte kërkuar zbatimin e vendimeve. Me ç’rast përmbaruesi privat më 13 tetor të këtij viti e urdhëroi  Ministrinë që t’i zbatojë vendimet gjyqësore.

Në tetor të 2021, KALLXO.com në një konferencë për media kishte pyetur ministrin e Financave, Hekuran Muratin, lidhur me ketë çështje.

Murati tha se janë në dijeni për këtë rast dhe akuzoi qeverisjet e kaluar për “privatizimin” e pikave kufitare.