Kamionët që hynë në Kosovë në pikën kufitare ‘Hanit i Elezit’ ankohen për taksën, përfaqësuesi i terminalit thotë se po e respektojnë ligjin

Kamionët që hyjnë tranzit në afërsi të pikës kufitare të Hanit të Elezit po obligohen nga e enjtja e kaluar, që të paguajnë një taksë në vlerë deri 40 euro, pasi që prona përmes të cilën kalojnë është e privatizuar.

Deri javën e kaluar, transportuesit e mallrave kanë kaluar në një rrugë alternative në skaj të terminalit doganor për kalim tranzit të cilën e kishte krijuar Ministria e Infrastrukturës në vitin 2014. Kësisoj, vozitësit ishin të lirë të kalojnë pa pagesë e që të shkojnë më pas për zhdoganim të mallit në cilëndo terminal doganor që duan.

Prona në të cilën kjo rrugë alternative është krijuar, është në pronësi të biznesit “Terminali Sh.p.k”. Këta të fundit e kishin paditur menjëherë Ministrinë e Infrastrukturës për largimin e barrierave dhe krijimin e kësaj rruge të re. Nga kompania thonë se rastin e kanë fituar në tri gjykata. Më 21 tetor, barrierat u rikthyen.

Transportuesit e mallrave në një prononcim për KALLXO.com janë ankuar për këtë pagesë të kalimit tranzit. Ata po kërkojnë që të krijohet një alternativë krahas Doganës – në pronë të shtetit.

“Deri 40 euro paguajmë për me hy tranzit prej Shkupi, deri të enjten s’kemi pagu, por kështu ka qenë edhe para disa viteve por e kanë kriju këtë rrugë alternative prej qeverisë. Po prona është e privatizume edhe këta e kanë fitu rastin. Na kërkojmë një zgjidhje, s’kemi pse me pagu një privati, sepse përveç kësaj na duhet me pagu edhe zhdoganimin e mallit, d.m.th edhe 40 euro shtesë. Është shumë për neve”, thonë ata.

Si u privatizua prona në afërsi të pikës kufitare?

Në prill të vitit 2010, prona qe gjendet në afërsi të degës doganore në Hani të Elezit ose në pikën kufitare Shkup – Hani i Elezit, është privatizuar nga “Terminali” Sh.p.k. Aty kishte qenë më parë një fabrikë.

KALLXO.com ka siguruar një padi të cilën ndërmarrja e ka bërë kundër ministrisë, në të cilën përshkruhet se prona ishte privatizuar në vitin 2010, në valën e 40 të privatizimeve.

Gjatë posedimit të kësaj prone, sipas dokumenteve që KALLXO.com posedon, kishte lindur një kontest në mes të privatizuesit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

“Terminali Sh.p.k” në vitin 2014 kishte paditur Ministrinë për pengim në posedimin e pronës të cilën e kishte privatizuar.

Në këtë padi përshkruhej se Ministria e Infrastrukturës pa përfillur rregulla i kishte larguar barrierat dhe i kishe marrë në posedim me dhunë atë pjesë të rrethojave, për zgjerim të rrugës pa pëlqimin e ndërmarrjes.

Gjykata e Ferizajt i kishte dhënë të drejtë ndërmarrjes dhe kishte konstatuar se Ministria e kishte penguar paditësin në posedimin e pronës së tij. Me këtë vendim, e kishte urdhëruar Ministrisë që ta kthente gjendjen sikurse ka qenë.

Vendimi i tillë ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit. E cila i kishte refuzuar ankesat e institucionit publik. Lidhur me këtë çështje kishte vendosur edhe Gjykata Supreme.

Instancat më e lartë gjyqësore në vend e kishte hedhur si të palejuar revizionin (kundërshtimet e Ministrisë, me konstatime se në këto çështje nuk lejohet ushtrimi i këtij mjeti juridik.

Pasi kishin vendosur të tri instancat gjyqësore, ndërmarrja kishte kërkuar zbatimin e vendimeve. Meqë rast përmbaruesi privat më 13 tetor të këtij viti e urdhëroi  ministrinë që t’i zbatojë vendimet e gjyqësore.

KALLXO.com gjatë vizitës te terminali doganor ka biseduar edhe me menaxherin e Terminalit, Alben Dogani.

Dogani ka deklaruar se prona është private dhe se Ministria kishte tentuar që ta kthejë në pronë publike, pa e shpronësuar.

“Pas luftës, ky terminal ka qenë publik, ish-fabrikë është shndërruar në terminal doganor. Edhe krejt kamionët kanë kalu detyrimisht se s’ka pas rrugë tjetër, kanë kalu në terminal dhe kanë paguar edhe për tranzitin që kanë kalu, njëjtë pagujnë edhe sot. Kanë paguar 30 euro tranziti, edhe kanë shkuar nëse kanë dashtë me u zhdoganu nëpër terminale tjera, kanë zgjedhë, kanë pas të drejtë pasi ka të tjera”, tha ai.

Ai thotë se pasi Ministria nuk kishte respektuar thirrjet që t’a kthejë parcelën në gjendjen e mëparshme, janë obliguar që përmes përmbaruesit privat dhe policisë të ndërhyjnë.

“Në vitin 2014, Ministria e Infrastrukturës e ka hap rrugën pa të drejtë, që e vërteton edhe Gjykata që na kemi bë padi për pengim të posedimit. Parcelën tonë e ka kthy në pronë publike pa procedura ligjore, as nuk e ka shpronësu. Pa asnjë arsyetim, veç e kanë dërgu njësinë speciale edhe e kanë hap rrugën. Kamionat pastaj kanë vazhdu tranzit pa hy në terminal. Gjykata Supreme ka vendos në favor tonë, përmbaruesi privat i ka dhënë afat shtatë ditë ministrisë që me e kthy në gjendjen e mëparshme rrethojën dhe me e largu pengimin e posedimit. Ministria nuk është përgjigje, përmbaruesi bashkë me policinë e kanë kthy rrugën dhe tani kamionët vazhdojnë sikurse para 2014-es për me kalu nëpër terminal”, u shpreh Dogani.

“Kjo është pronë private, na e kemi ble 9 milionë euro, nuk e kemi ble me mbjell kumpira, por si biznes profitabil”, shtoi ai.

Dogani tha se ankesat e kompanive nuk kanë të bëjnë me taksën për terminalin, pasi që e njëjta taksë paguhet në të gjitha terminalet, përfshirë edhe ato në brendi të Kosovës.

Por, sipas tij janë procedurat strikte të kontrolleve sanitare ato të cilat po u pengojnë disa kompanive të cilat kryesisht importojnë produkte me bazë shtazore dhe bimore, e të cilat ai thotë se ligji e ka përcaktuar se të njëjtat duhet t`i nënshtrohen procedurave fito-sanitare në kufi.

Neni 26, tek procedurat për importin e dërgesave bimore, përkatësisht pika 2 e këtij neni thotë se “dërgesat bimore sipas nenit 24 të këtij ligji, kontrollohen në pikat e hyrjes të Kosovës, ku kryhen edhe procedurat e tjera administrative doganore. Dërgesa nuk mund të largohet nga pika e hyrjes nëse nuk janë kompletuar të gjitha vlerësimet e nevojshme fitosanitare”.

Dogani tha se që nga viti 2014 ky ligj është duke u anashkaluar dhe se për këtë duhet të ndërmarrin masa autoritetet kompetente.

“Ky ligj është duke u shkel me dy këmbë, asnjëherë nuk është respektu. Sepse vinë kamionët me dërgesa bimore edhe shkojnë në terminale te brendshme, dhe kryhen gjysmë ore deri një orë, 30 deri 40 dërgesa bimore kalojnë, që fizika nuk e lejon, mu kry kontrollet fitosanitare. Madje është vetëm një inspektor fitosanitar brenda një terminali”, tha ai.

Qeveria Kurti akuzon ish-pushtetarët për privatizim të terminaleve

Ministri i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media të mërkurën është pyetur nga gazetarja e KALLXO.com lidhur me këtë cështje.

Murati tha janë në dijeni për këtë rast dhe akuzoi qeverisjet e kaluar për “privatizimin e pikave kufitare”.

“Kemi rastin pra, qeverisjet e kaluara, kanë privatizuar edhe pikat kufitare pra terminalin që është në kufi. E më të e kanë privatizu edhe rrugën. E tash normal që operatori ekonomik padit shtetin dhe kërkon që rruga më i mbet atij. Ne si shtet, si qeveri, kemi dëshmu qe jemi të përkushtuar që të ketë terminale shtetërore anekënd vendin, në mënyrë që shteti të ofrojë këtë shërbim edhe me ketë rast do të merremi, dhe jemi duke bashkuar me ministrin Aliu”, u shpreh ministri.

Ministri Murati tha se për këtë janë duke bashkëpunuar me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe se shumë shpejtë do të gjejnë një zgjidhje alternative.

“Pra një zgjidhje alternative që maunat të kalojnë në pjesën e epërme të rrugës, pra në pikën kufitare. Shumë shpejtë do të kemi një zgjidhje, që të ofrohet rruga alternativ në mënyrë që të evidentohen këso situata absurde që na ka sjellë për shkak të vendimeve të qeverive të kaluara duke privatizuar edhe vendkalime kufitare”, shtoi tutje Murati.