Arkiv

Thaçi: Çështja e të pagjeturve është turpi i bashkësisë ndërkombëtare

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar 1.647 qytetarë të pagjetur.

Çështjen e të pagjeturve Thaçi e ka quajtur turp i bashkësisë ndërkombëtare.

“Çështja e të pagjeturve është turpi i bashkësisë ndërkombëtare dhe është për keqardhje që Serbia po e politizon edhe zbardhjen e fatit të tyre”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Presidenti Thaçi ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet t’i bëjë presion Serbisë për të pagjeturit.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për t’i bërë presion Serbisë dhe për ta zbardhur fatin e të pagjeturve dhe çdo krim të kryer në Kosovë”, ka theksuar ai.

Më tej Thaçi është shprehur se nuk do të ndalen së kërkuari zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Nuk do të ndalemi asnjëherë së kërkuari drejtësi për çdo viktimë, për çdo të zhdukur, për çdo familje”, ka përfunduar Thaçi.

Sipas Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, rënia e përgjithshme e shkallës së zbardhjes së fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur dhe mungesa e një reagimi të duhur ndaj nevojave të familjarëve të tyre kanë mbetur shqetësimet kryesore të viteve të fundit.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, shefi i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi, kërkoi nga autoritetet që të shtojnë përpjekjet për zgjidhjen e personave të zhdukur.

“E shfrytëzojmë këtë rast që t’i nderojmë, përsëri, familjarët që përballen me pikëllimin e mosdijes për atë që u ka ndodhur të dashurve të tyre. Në emër të tyre, i nxisim autoritetet që t’i shtojnë përpjekjet e tyre për ta zgjedhur këtë problem humanitar që e ka rënduar shoqërinë kosovare qe më shumë se dy dekada”, ka theksuar Gashi.

Gashi pohoi se përderisa në vitin 2019 janë zgjidhur tetë raste, këtë vit është gjurmuar vendndodhja e vetëm tre personave.

“Pengesa kryesore ndaj një përparimi më të shpejtë është mungesa e informatave të reja që do të çonin në lokacionet e reja të varrezave”, tha ai.