Tetë vite nga vrasja e sigurimit në lokalin 'Bon Vivant', të akuzuarit po gjykohen për të katërtën herë

Sherif Krasniqi dhe Masar Gërdovci, të akuzuar për vrasjen e Rrahman Ukës, roje në lokalin ‘Bon Vivant në vitin 2014-të, janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarve.

Që nga vrasja kanë kaluar hiç më pak se 8 vite e katër muaj dhe procesi gjyqësor për këtë rast po vazhdon ende ani pse ky rast ka kaluar në plotë 8 procese gjyqësore.

Në seancën gjyqësor të mbajtur prezantuan dëshmitarët Arife Veselaj, psikologe klinike nga Instituti i Mjekësisë Forenzike dhe Rrustem Berisha, zyrtar i forenzikës.

Veselaj u deklarua se qëndron në tërësi pranë ekspertizës që kishte përgatitur së bashku me ekspertët e tjerë.

Njëjtë u deklarua edhe Berisha, i cili kishte dëshmuar për këtë rast disa herë.

Dëshmitari tha se nuk ka asgjë tjetër çfarë të shtojë lidhur me këtë rast pos atyre që kishte deklaruar në proceset gjyqësore të tjera.

“Nuk kam asnjë rrethanë tjetër lidhur me këtë rast, e di që e kam potencuar në deklarimet e më hershme se njësia jonë e ka gjetur atë dëshmi në vend të ngjarjes, jam interesuar me marrë informacione edhe informatat që m`i ka dhanë hetuesi i atëhershëm ka qenë se këtë armë e ka sjellë ish shefi i ndërrimit togeri Eshref Beqiri, i cili ja ka marrë personit të dyshimtë”- tha Berisha.

Në këto rrethana me pajtimin e palëve, Gjykata mori vendim që t`i konsideroj si të lexuara deklaratat e dëshmitarëve.

“Pas marrjes së mendimit të palëve në procedure merr aktvendim, konform nenit 335 të kodit të procedurës, të lexohen deklaratat e dhëna në shqyrtimet e më parshme gjyqësore, për dëshmitarët, Ardian Berisha, Valmir Polloshka, Avni Ahmeti, Arben Rexhepi, Dea Kukaj, Burim Hertica, Berat Krasniqi, Adem Lutfiu, Albert Zogiani, Eshref Beqiri, Ismet Shabani, Valon Vokshi, Uran Ismajli, Egzona Berisha dhe për dëshmitarët ekspertë – dëshmitari i mjekësisë ligjore Dr. Naim Uka, eksperti i AKP-së për balistik, Qëndrim Topalli, dëshmitari për analiza dhe zjarrëvënie në AKF Milazim Tahirukaj, si dhe eksperti nga instituti i psikiatrisë Forenzike, Ajet Bunjaku”- mori vendim gjyqtari Avni Syla.

Ndërsa dy dëshmitarët Labinot Berisha dhe Genc Gashi, të cilët munguan do të ftohen të dëshmojnë në seancën e datës 14 dhjetor të këtij viti.

Si dëshmitarë do të dëgjohen edhe Ilir Misini dhe Fitim Polloshka.

Përndryshe në seancën e datës 26 shtator të këtij viti, në seancën e parë të rigjykimit për herë të tretë, prokuroria kishte bërë rikualifikimin e veprës penale për të akuzuarin Masar Gërdovci nga “vrasje e rëndë” në “Vrasje”.

Ky rikualifikim kishte ardhur nga prokurori, Armend Hamiti, i cili ka potencuar faktin se rikualifikimi është bërë në bazë të rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.

Lidhur me rikualifikimin që e kishte bërë prokurori, i pakënaqur është shprehur familjari i të dëmtuarit që ishte i pranishëm në seancë. Ai deklaroi se më nuk do ta ndjekin gjykimin e këtij rasti.

Kujtojmë që Gjykata Themelore për herë të tretë kishte gjetur fajtorë të akuzuarit lidhur me rastin. Gjykata e kishte gjetur fajtor Masar Gërdovcin për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe të njëjtit gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 vitesh, si dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumën prej 1500 euro.

Kurse Sherif Krasniqit për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje i ka shqiptuar dënim me kohëzgjatje prej 7 vitesh, ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje është refuzuar aktakuza meqë prokuroria është tërhequr nga kjo akuzë.

Lidhur me aktgjykimin dënues të Themelores ankesë kishin ushtruar të gjitha palët përfshirë këtu edhe familjarët e të dëmtuarit.

Kolegji i Apelit në përbërje prej Beqir Kalludra – kryetar, Hashim Qollaku dhe Tonka Berishaj – anëtarë, në trajtimin e ankesave të palëve në procedurë me aktvendimin e datës 13 qershor të këtij viti, ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje esenciale të Kodit të procedurës penale.

E sipas kësaj, Apeli ka gjetur se në vendimin e Themelores dy të akuzuarit janë shpallur fajtor për vrasje të rëndë, kurse të akuzuarit në gjykimet e më hershme kanë qenë të dënuar për veprën penale të vrasjes.

Vendimi i shkallës së parë ishte marrë në janar të këtij viti, nga gjyqtari Avni Syla – kryetar i trupit gjykues, Alltëne Murseli dhe Shpresa Hasaj- Hyseni – anëtare.

Kujtojmë që me aktgjykimin {për herë të dytë} të Themelores, të datës 18 dhjetor 2020, Masar Gërdovci ishte dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1500 euro me gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi ishte dënuar me 6 vjet burgim.

Me aktgjykimin e Apelit të datës 2 prill 2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Të pandehurit Masar Gërdovci, herën e parë gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Gjë për të cilën ishin dënuar tri herë dhe rasti tashmë është duke u gjykuar për herën e katërt.

Raportimet e KALLXO.com – LINK 

Shënim: Në ora 16:55, artikulli është plotësuar me deklarimin e familjarit të viktimës.