Kryeministri Albin Kurti dhe myftiu Naim Tërnava, Foto: ZKM

Tërnava-Kurtit: Fushata duhet të shkojë pa fyerje, pa njollosje

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava e ka pritur në vizitë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me rastin e festës së Kurban Bajramit, më 27.05.2026.

Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore në të cilat Kurti është kandidat për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, myftiu Tërnava deklaroi se çka kërkon nga politikanët.

“Kam thënë edhe fushata duhet të shkojë pa fyerje, pa njollosje, pa vërejtje, duhet të jemi me mendje të lartë të ngritur. Me një edukatë.” – tha Tërnava.

Duke qenë se Kosova për herë të tretë do të mbajë zgjedhje parlamentare, dy palë zgjedhje u mbajtën vitin e kaluar, kurse për zgjedhjet që do mbahen më 07.06.2026, Tërnava u shpreh “Tash të shohim prap, veç janë ba si kallabllak këto zgjedhje”.

Derisa Kurtin e shoqëroi në vizitë edhe ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku, myftiu i Kosovës iu ankua Kurtit për librat shkollor.

Tërnava tha se ka parë në përmbajtje të njërit libër se për shtetet e Kosovës fqinje i kishte 9 faqe, për Shqipërinë 7 faqe.

“Kjo s’është në rregull, për Shqipërinë duhen me kanë 100 faqe, për ato [shtetet fqinje] 5-10 faqe.” – tha Tërnava.

Kryeministri Kurti iu përgjigj Tërnavës duke i thënë se kanë filluar me korrigjimin e teksteve shkollore, të cilat sipas tij nuk janë të përshtatshme sot për nxënësit. 

“Nuk po konsiderohet më si dikur, që shkolla dhe libri janë burimi dominues i jetës, dija po vjen prej tana anëve.” – i tha Kurti, teksa Tërnava i reagoi për këtë deklaratë duke i thënë “5-she e ki.”

Në prononcimin për media, Kurti tha se festa e Kurban Bajramit është festë e cila i obligon të ndihmojnë njëri-tjetrin, të përkujdesen për njëri-tjetrin, të tregojnë solidaritet, bujari, dashamirësi për të mirën e përgjithshme duke mos e lënë asnjeri mbrapa. 

“Kurban Bajrami na përkujton dhe na e mëson vazhdimisht se edhe sakrifica është festë sepse i gëzojmë frytet dhe të mirat e atyre të cilët kanë sakrifikuar para nesh dhe kanë mundësuar që ne të kemi liri e prosperitet, para së gjithash dëshmorët e kombit, e aty nuk e harrojmë se ishin 37 imam hoxhallarë nga lufta çlirimtare, bartëse e së cilës ishte UÇK-ja.” – tha Kurti.

“Edhe njëherë urime Kurban Bajrami, me fat e përhajr të gjithëve!” – uroi ai.

Përveç ministrit Çeku, Kurtin e shoqëroi në këtë vizitë edhe ministrin në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci.

Festa e Kurban Bajramit vjen pas kryerjes së haxhit ku edhe besimtarë të shumtë nga Kosova po kryejnë këtë obligim së bashku me miliona haxhilerë nga e mbarë bota.

Festa e Kurban Bajramit shoqërohet edhe me therje të kurbanit nga besimtarët që kanë mundësi. 

Në anën tjetër, të enjten, më 28.05.2026, fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.