NATO thotë se stërvitjet e përbashkëta shënojnë dislokimin më të madh të Rusisë në ish-Bjellorusinë Sovjetike që nga Lufta e Ftohtë.  GETTY IMAGES 

Tensionet në Ukrainë: Rusia fillon stërvitjet ushtarake me Bjellorusinë

 

Rusia dhe Bjellorusia kanë filluar 10 ditë stërvitje të përbashkëta ushtarake mes frikës së vazhdueshme për një pushtim rus të Ukrainës.

Bjellorusia është një aleat i ngushtë i Rusisë me të cilën ndan një kufi të gjatë me Ukrainën.

Shtetet e Bashkuara i kanë quajtur stërvitjet – që besohet se janë dislokimi më i madh i Rusisë në Bjellorusi që nga Lufta e Ftohtë – një lëvizje “përshkallëzuese”. Ukraina thotë se ato përbëjnë “presion psikologjik”.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për ta pushtuar Ukrainën, pavarësisht se ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në kufi.

Por SHBA dhe vendet e tjera perëndimore kanë paralajmëruar se një sulm rus mbi Ukrainën mund të ndodhë në çdo kohë.

Moska thotë se nuk mund të pranojë që Ukraina – një ish-republikë sovjetike me lidhje të thella sociale dhe kulturore me Rusinë – mund të bashkohet një ditë me NATO-n dhe ka kërkuar që kjo të përjashtohet nga ky antarësim. Rusia e ka mbështetur një rebelim të armatosur në Ukrainën lindore që nga viti 2014.

Bisedimet diplomatike që synojnë zbutjen e tensionit priten të zhvillohen në të gjithë Evropën të enjten.

Rreth 30,000 trupa ruse pritet të marrin pjesë në stërvitjet me Bjellorusinë.

Udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko është një aleat i fortë i presidentit rus Vladimir Putin. Kremlini e ka mbështetur z.Lukashenko pas zgjedhjeve të diskutueshme në 2020 që çuan në protesta.

Një zëdhënës i Kremlinit i përshkroi stërvitjet e përbashkëta si serioze, duke thënë se Rusia dhe Bjellorusia po “përballeshin me kërcënime të paprecedenta”.

Ambasadori i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, megjithatë, i tha BBC-së se vendi i tij ende beson se diplomacia mund të ndihmojë në de-përshkallëzimin e krizës mbi Ukrainën. Ai tha se trupat ruse të vendosura aktualisht në Bjellorusi do të kthehen në bazat e tyre të përhershme pas stërvitjeve.

Bisedimet që synojnë uljen e tensioneve pritet të zhvillohen sot gjatë ditës dhe do të përfshijnë të dërguarit rusë dhe ukrainas së bashku me Francën dhe Gjermaninë – të njohur si kuarteti i Normandisë.

Ka disa sugjerime se një fokus i ripërtërirë në të ashtuquajturat marrëveshje të Minskut – të cilat synonin t’i jepnin fund konfliktit në Ukrainën lindore – mund të përdoret si bazë për ta zbutur krizën aktuale.

Ukraina, Rusia, Franca dhe Gjermania i kanë dhënë mbështetje marrëveshjes të arritur në vitet 2014-2015./BBC