Mbledhja e Komisionit për Planifikim Strategjik, më 10.05.2024, Foto: ZKM

Mbahet mbledhja e Komisionit për Planifikim Strategjik, Kosova do të përfitojë rreth 1 miliard euro nga BE

Komisioni për Planifikim Strategjik ka mbajtur mbledhjen e dymbëdhjetë, më 10.05.2024, në të cilën ka diskutuar rreth përgatitjeve për financim të projekteve infrastrukturore të Kosovës nga fondet e Bashkimit Evropian dhe të partnerëve tjerë.

Përveç kryeministrit të vendit, Albin Kurti të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi si dhe ministra, zëvendësministra, anëtarë të kabineteve qeveritare, drejtues të zyrave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive të linjës.

Në këtë mbledhje të Komisionit është folur për Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore në Kosovë, e cila sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, ka për qëllim t’i prioritizojnë projektet me të cilat pastaj do të aplikojnë në instrumentet për financim të ofruara nga BE dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe po ashtu tregon synimet e tyre investive në infrastrukturë.

Ndërsa, sipas kryeministri Kurti, kjo listë ka dalë nga Procesi i Berlinit dhe ishte hartuar fillimisht në vitin 2015, kurse është përditësuar së fundmi në vitin 2017 për sektorin e mjedisit, transportit, energjisë dhe sektorit social.

“Ky dokument (Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore në Kosovë) që ka treguar synimet e Kosovës për investime dhe fazat e realizimit ka qenë edhe parakusht për përkrahje financiare nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor apo ËBIF, siç njihet ndryshe me akronim” – ka thënë Kurti.

Më tej, Kurti ka deklaruar se me programin e tyre qeveritar kanë paraparë përgatitjen e Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore, përveç tjerash edhe si përgjigje ndaj Planit për Ekonomi dhe Investime të Bashkimit Evropian të paraqitur në vitin 2020.

Me këtë rast, Kurti ka kujtuar se në takimin e gjashtë të Komisionit për Planifikim Strategjik patën themeluar grupet punuese për sektorin e mjedisit, transportit dhe të energjisë.

“Pasi ka përfunduar puna nga grupet punuese, sot do të miratojmë listat për këta tre sektorë. Njëkohësisht, do të formojmë edhe grupet punuese sektoriale për infrastrukturën digjitale dhe sektorin social. Paralelisht me hartimin e listës prioritare, gjatë këtij mandati qeverisës, kemi aplikuar me shumë projekte infrastrukturore për financim, dhe kemi arritur financimin e tyre” – ka theksuar Kurti.

Kurti ka treguar se në dhjetor të vitit 2022, Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (ËBIF) ka miratuar tri aplikime për fonde të Kosovës, duke mundësuar përfitimin e granteve në vlerën totale prej 57.6 milionë euro.

Prej tri granteve, njëri ndër ta që Kurti ka përmendur është përgatitja e projektit për banimin social në vlerë prej 2.08 milionë euro, që do të shfrytëzohet për përgatitjen e investimeve të cilat e kanë vlerën totale prej 47.5 milionë euro.

Përveç këtij granti, ai ka përmendur edhe vlerën e dy granteve tjera, granti investues për parkun solar në KEK dhe granti për ngrohjen qendrore në kryeqytet.

“Granti investues për parkun solar në KEK në vlerë 33.07 milionë euro, si pjesë e investimeve që kanë vlerën totale prej 103.33 milionë euro. E granti i tretë është ai investues për ngrohjen qendrore në kryeqytet në vlerë prej 22.47 milionë euro, si pjesë e investimeve që në total kanë vlerën 76.368 milionë euro” – ka shtuar Kurti.

Rreth planifikimit dhe hartimit të Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore, Kurti ka vlerësuar se ka rëndësi të madhe në kontekst të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, nga i cili pritet që Kosova të përfitojë afro 1 miliard euro.

Gjysma e shumës prej 1 miliard euro, Kurti ka njoftuar se do të ofrohet për investime infrastrukturore, të cilat realizohen përmes ËBIF, me kritere të veçanta të dedikuara për sektorët e transportit, energjisë, sektorit digjital si dhe të fushës së kapitalit njerëzor.

“Projektet e kapitalit njerëzor do të jenë pjesë e listës prioritare të sektorit social. Ndërkaq, sektori i mjedisit do të vazhdojë të jetë nga ËBIF, por grantet e ofruara për mjedisin nuk burojnë nga pakoja financiare e Planit të Rritjes, por nga fondet IPA rajonale që ofrohen përmes ËBIF dhe kriteret e aplikimit pritet të jenë të njëjta sikurse që kanë qenë edhe më parë” – është shprehur Kurti.

Pasi ka folur për takimin që kanë zhvilluar në Këshillin Ministror për Integrim Evropian, Kurti u ka kërkuar ministrave, zëvendësministrave, kabineteve të tyre dhe menaxhmentit të shërbimit civil, që të mobilizohen për të identifikuar dhe për t’i zgjidhur sfidat dhe vështirësitë, njëkohësisht mundësitë që kanë për t’i plotësuar detyrimet e tyre në Agjendën e Reformave dhe për të filluar aplikimin me projektet infrastrukturore.

“Javën e kaluar patëm takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, ku diskutuam edhe për Agjendën e Reformave, një dokument kryesor për detyrimet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Kryerja e reformave në të gjithë sektorët dhe fushat, që matet me treguesit e Agjendës së Reformave, është e lidhur drejtpërdrejtë me vëllimin e përfitimit të fondeve të Planit të Rritjes që realizohen përmes ËBIF” – ka theksuar Kurti.

Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se ministritë e linjës kanë prezantuar listat prioritare në fushën e mjedisit, transportit dhe energjisë.

“Përgjatë kësaj mbledhjeje u votuan dhe Grupet Punuese Sektoriale (GPS) për përzgjedhjen e projekteve që do të përfshihen në kuadër të Listës Prioritare të Projekteve Infrastrukturore për sektorin social dhe infrastrukturën digjitale” – thuhet në njoftimin e ZKM-së, më 10.05.2024.

Mbledhja e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, u mbajt më 02.05.2024. Në këtë mbledhje kryeministri Kurti deklaroi se Kosova është e gatshme jo vetëm për statusin kandidat për anëtarësim, por edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Kurti me këtë rast ka theksuar se pas një dekade stagnimi, zgjerimi i Bashkimit Europian është ri-kthyer në agjendë.

“Në dhjetor të 2023-tës, samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor, rikonfirmoi të ardhmen e rajonit tonë në Bashkimin Europian. Më 15 dhjetor 2022 në Pragë, ne dorëzuam aplikacionin për anëtarësim në BE. Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Europian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për hapjen e negociatave dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit”- është shprehur Kurti.

“Anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike. Ne kemi bërë zgjedhje andaj agjenda e reformave europiane në Qeverinë tonë që nga fillimi i mandatit është trajtuar me shumë seriozitet”- theksoi ai.

Kreu i ekzekutivit ka vlerësuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave të vendosura ndaj saj, teksa ka nënvizuar se të njëjtat bien ndesh me përpjekjet e rajonit përë integrim të përshpejtuar në BE dhe sidomos në planin e rritjes.

Kryeministri Kurti më 15.12.2022, ia ka dorëzuar në Pragë letrën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, ministrit për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek, që në atë kohë mbante presidencën e BE-së.