Të premten nis edicioni i 4- të i ‘Autostradës Bienale’

Edicioni i 4-të i ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor, “Autostrada Biennale” do të mbahet nga 7 korrik deri me 9 shtator 2023 në Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicë.

Ekipi i “Autostradës Bienale” ka publikuar programin e hapjes së edicionit të katër, i cili do të nis të premten me konferencën për media ku do shpaloset programi për edicionin e sivjetmë, në “Autostrada Hangar”, ITP- Prizren.

Koncepti kuratorial i ekspozitës së edicionit të 4-të “Autostradës Bienale”,  “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë” është krijuar nga Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, që sipas organizatorëve i përgjigjet kontekstit lokal dhe shtjellohen temat e autobiografive kolektive, arkivave kulturore, kujtesës shumë-drejtimëshe si dhe shpresës dhe këmbënguljes.

Gjithashtu, gjatë këtij edicioni të “Autostradës Bienale” organizatoret kanë përgatitur edhe një program të larmishëm që përfshinë bashkëbisedime me artistë, ligjërata ekspertësh, sesione edukimi, vizita me udhërrëfyes e mbrëmje muzikore.

“’Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë’ është një ekspozitë për atë që na bën e që na zhbën, çfarë na thur me njëri-tjetrin e çfarë na shthur, për liritë përtej zgjedhjeve, për të imagjinuarat që rrjedhin pavarësisht nga kufijtë dhe përmatanë tyre. Është një ekspozitë për autobiografitë kolektive që mbahen në arkiva kulturorë, në ata rezervuarë të thellë fjalësh, gjësendesh, yrnekësh, ndjenjash ose keqkuptimesh” – thuhet në njoftimin e “Autostradës Bienale”.

“Autostrada Biennale” u themelua në vitin 2014, si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren e që funksionon në dy me dy shpejtësi: “Autostrada Biennale”, ekspozita Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor që zhvillohet çdo dy vjet që nga viti 2017 dhe “Autostrada Hangar”, hapësira e re e edukimit, prodhimit dhe ekspozitës në ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman, tani ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren).